
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka bërë të ditur se në Kosovë janë identifikuar gjithsej 398 zona me rrezik të konsiderueshëm nga përmbytjet, duke përfshirë zona me rrezik ekstrem, rrezik shumë të lartë dhe rrezik të lartë.
Durmishi në “Adresa” tha se nga këto zona, 108 janë me rrezik ekstrem, 95 me rrezik shumë të lartë, ndërsa 195 zona me rrezik të lartë, të cilat përfshijnë një sipërfaqe të madhe të territorit të Kosovës.
Sipas tij, këto zona të rrezikuara përfshijnë rreth 340 mijë banorë, 32 objekte kulturore, 57 zona të mbrojtura dhe 538 zona me rëndësi ekonomike, çka e bën situatën edhe më shqetësuese.
Durmishi theksoi se rreth 491 kilometra lumenj në Kosovë janë segmente të ekspozuara ndaj përmbytjeve të shpeshta. Ai bëri të ditur se brenda dy viteve të fundit, Ministria ka ndërtuar një sistem të avancuar monitorimi në kohë reale.
“Aktualisht kemi 23 stacione meteorologjike, 36 stacione të reshjeve, 34 stacione hidrometrike dhe 40 pika për monitorimin e ujërave nëntokësore. Të gjitha këto shërbejnë për marrjen e informatave sa më shpejt dhe për të mundësuar intervenim në kohë”, deklaroi Durmishi.
Ai theksoi se ky sistem synon të zvogëlojë dëmet nga përmbytjet dhe të rrisë gatishmërinë institucionale në rast të situatave emergjente./Gazeta 10
Deklarata e plotë: