
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka rikualifikuar nga vrasje e rëndë në vrasje rastin ndaj Lulzim Spahiut i cili u qëllua me plumb në kokë nga ish-zyrtari policor, Vllaznim Hamdija në dhjetor të vitit 2019. Ndaj vendimit të prokurorit ka reaguar avokati i familjes së viktimës. Ndërkaq, Kanal10 ka siguruar ekskluzivisht pamjet e vrasjes.
Raporti: Egzona Shala, Kamera: E.H/T.F.
Në ora 4:30 minuta të mëngjesit së 29 dhjetorit të vitit 2019, u dëgjua kjo krismë nga një armë zjarri i një zyrtari policor, i cili derisa nuk ishte në detyrë, ka shtënë mbi viktimën Lulzim Spahiu nga Kamenica.
I ndjeri Lulzim Spahiu së bashku me djalin e tij, Blendin, atë ditë ishin duke u kthyer në shtëpi, ku në rrugën qarkore “Nato” në Gjilan pësojnë një aksident me tani të akuzuarin, Vllaznim Hamdija.
Pas disa minutave diskutim mes dy palëve te aksidentuara, i pandehuri në prani të djalit të viktimës, afrohet tek dera e kamionit dhe gjuan me armën zyrtare, me ç’rast viktima vdes në vendin e ngjarjes.
Më 5 mars të vitit 2020 është ngritur aktakuza lidhur me dyshimin e tri veprave penalë, të vrasjes së rëndë, posedim të paautorizuar të armëve dhe mbajtje e armës apo mjetit të rrezikshëm.
Por, i pandehuri ka kërkuar që seancat të shtyhen për shkak të zhvillimit të negociatave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
E për mundësinë e një marrëveshjeje të tillë, nuk është i pajtimit djali i viktimës Blendi, i cili thotë se të akuzuarit nuk duhet t’i ulen vitet e dënimit.
Edhe avokatja, Vlora Kadriu thotë se rasti duhet të cilësohet si vrasje e rëndë dhe nuk janë të pajtimit nëse arrihet marrëveshja e fajësisë.
Ndërkaq, pala tjetër ka thënë se kërkesa e tyre për marrëveshje të pranimit të fajësisë, është e ligjshme.
Në një përgjigje për Kanal 10 të datës 20 shtator nga Prokuroria Themelore në Gjilanë është thënë se konform nenit 233 te KPP-së, ka obligim ligjor të shqyrtojë mundësinë e arritjes apo jo të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, nëse ekzistojnë arsyet ligjore. Kjo nuk nënkupton që marrëveshja për pranim të fajësisë do të arrihet.
Por, Kanal 10 merr vesh se në seancën e mbajtur më 21 tetor, Prokuroria ka bërë rikualifikim e pikës së parë të aktakuzës ku aty është bërë rikualifikimi i vepres nga vrasje e rëndë në vrasje ku denimi sipas këtij neni thotë se nuk mund te jete me i vogel se 5 vite.
Seanca është ndërprerë për shkak të gjendjes jo të mirë të djalit të viktimës, ku edhe sipas raportit mjekësor të njejtin i ndalohet pjesmarrja në seancë deri në përmirësim të gjendjes shëndetësore./Gazeta10