
Publicisti Pal Shtufi ka bërë të ditur se ishte i pranishëm në premierën e dokumentarit “Dhimbja që nuk harrohet”, i cili u shfaq mbrëmë në Kanal10, realizuar nga gazetari Kushtrim Sadiku.
Në reagimin e tij, Pali ka vlerësuar dokumentarin si një akt të rëndësishëm kujtese dhe ndërgjegjësimi, duke theksuar se ai pasqyron ngjarjet tragjike të 7 tetorit 2023 në Izrael, kur civilë të pafajshëm u vranë dhe u masakruan gjatë sulmeve terroriste, përfshirë edhe sulmin në koncertin “Nova Music Festival”.
Ai ka theksuar se shfaqja e dokumentarit në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit përbën një simbolikë të fuqishme dhe një nderim për viktimat, si dhe për miqësinë mes popullit shqiptar dhe atij izraelit.
Mes tjerash, Shtufi tha se autori i dokumentarit, Kushtrim Sadiku, është përballur me sulme dhe kërcënime që në momentin e paralajmërimit të projektit, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të mentalitetit ekstremist që ende ekziston.
Në fund të reagimit të tij, shkrimtari ka ftuar publikun që ta shikojë dokumentarin, duke e cilësuar atë si një “shkollë ndërgjegjësimi” për rininë dhe shoqërinë në përgjithësi.