Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dyshimet për aferë korruptive, Prokuroria nis hetimet, Dërguti i quan pretendimet të paqëndrueshme

Gazeta10
26 October 2022 - 20:05

Pas dyshimeve për përfshirjen e ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit Haxhi Dërguti në një aferë korruptive, Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për personat e implikuar në këtë rast. Ka reaguar edhe vet Dërguti duke i quajtur pretendimet të paqëndrueshme dhe se do të paraqitet vullnetarisht para organeve ligjzbatuese për ta zbardhur të vërtetën. Ndërkohë, njohës të drejtësisë vlerësojnë se edhe ky rast dëshmon se procesi i vettingut është i domosdoshëm.


Raporti Gresa Bardhecaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se kanë nisur hetimet lidhur me dyshimet për përfshirjen në një aferë korruptive të ish-kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti dhe disa personave të tjerë.

Përmes një komunikate për media, nga ky institucion kanë thënë se kanë analizuar të dhënat e publikuara nga mediumi KALLXO.com, në mesin e tyre edhe video-incizimet.

Sipas raportimit të Kallxo.com, ish-kryprokurori Haxhi Dërguti dhe disa gjyqtarë të tjerë dyshohet se janë përfshirë në një aferë të 150 mijë eurove për zgjidhjen e disa lëndëve të një biznesmeni në gjykatat e vendit.

Ish-kryeprokurori Dërguti, mirëpo nuk u është përgjigjur thirrjeve të televizionit, derisa ka reaguar përmes një komunikate dërguar mediave.

Dërguti i ka cilësuar video-incizimet e publikuara të paqëndrueshme dhe se janë marrë në mënyrë të paautorizuar, duke thënë se do të paraqitet vullnetarisht për të sqaruar të gjitha rrethanat.

Pas publikimit të këtij rasti, njohës të drejtësisë thonë se pamje të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e sistemit të drejtësisë në vend.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se përveç që duhet të fillohen hetime duhet të ndërmerren masa edhe ndaj ish kryeprokurorit, pasi mund të ketë ndikim në prova dhe dëshmitarë.

Kurse, sipas avokatit Skënder Musa, ky rast dëshmon se sa i nevojshëm dhe i domosdoshëm është vettingu në drejtësi.

Për dyshimet e raportuara për përfshirje në këtë aferë korruptive të njerëzve të sistemit të drejtësisë, ka reaguar ditë më parë edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar që të arrestohen të gjithë personat e implikuar./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.