
Policia e Kosovës ka arrestuar një 33-vjeçar në Ferizaj, i dyshuar për një vjedhje të ndodhur katër ditë më parë në xhaminë e fshatit Mirashë.
Sipas Policisë, rasti ishte raportuar më 12 prill 2026 rreth orës 13:00, si “vjedhje e rëndë” në objektin fetar. “Njësitet reaguese kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesin, imamin e xhamisë”, thuhet në njoftim.
Imami kishte deklaruar se rreth orës 03:00 të mëngjesit, një person i panjohur dhe i maskuar kishte hyrë në xhami dhe kishte vjedhur arkën e bamirësisë me një shumë parash. “Rasti është regjistruar nga kamerat e sigurisë, mirëpo gjatë largimit, i dyshuari kishte dëmtuar kamerat me qëllim të asgjësimit të provave”, bëhet e ditur më tej.
Pas hetimeve, më 16 prill 2026, policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin me inicialet J.H. (33 vjeç). “I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar, ku me autorizim të prokurorit të shtetit ka pranuar kryerjen e veprës penale”, njofton Policia.
Po ashtu, sipas autoriteteve, i njëjti rezulton me urdhër-arrest aktiv nga Gjykata Themelore, dega në Lipjan.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet në fund të njoftimit.