
Avokati Ardian Bajraktari, në Gazeta tha se procesi për zgjedhjen e presidentit duhet të respektojë afatet kushtetuese, duke theksuar se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese u jep deputetëve mundësinë që të shfrytëzojnë deri në 60 ditë për këtë çështje.
Sipas tij, duke qenë se konstituimi i Kuvendit ka ndodhur pas fillimit të rrjedhjes së këtij afati, procesi do të duhej të përmbyllej brenda kësaj periudhe kohore.
Megjithatë, Bajraktari thekson se deri më tani nuk janë parë përpjekje serioze për të shfrytëzuar këtë mundësi, gjë që, sipas tij, reflekton mungesë të vullnetit politik, me theks të veçantë te kryeministri Albin Kurti për të arritur kompromisin e nevojshëm.
Ai tha se sistemi kushtetues dhe institucional i Kosovës bazohet në kompromis, duke shtuar se ky parim është thelbësor për funksionimin e institucioneve.
“Zgjedhjet tashmë duken të pashmangshme, por nëse vazhdon kjo qasje polarizuese në diskursin politik, ato me shumë gjasë nuk do të jenë zgjidhje,” ka deklaruar Bajraktari.
Deklarata e plotë: https://youtu.be/GiHTBnOJiEY