
Projektligji mbi ndarjet buxhetore ka shkaktuar debat në Komisionin për buxhet, mes opozitës dhe pozitës.
Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës kritikoi mbështetjen e Ministrisë së Financave për qytetarët, duke thënë se sikur të donin t’i ndihmonin qytetarët kjo gjë do të ndodhte më herët e jo tani kur po duket që vendi do të shkojë në zgjedhje.
“Ah bre ministër, mirë ish kanë me ju besu, këqyre po duhet me i rritë me të madhe këtë fletën e të hyrave që na keni përcjellë si institucione se vazhdimisht e kritikojmë që nuk po shihen qartë, është dashtë me i rritë këtë format fatkeqësisht. E dyta na pe shohim dhe e dimë të gjithë se cili është qëllimi dhe sigurisht ju mundeni me mohu, se me të vërtetë Vetëvendosja e ka një prirje interesante edhe kur i nxan tu vjedhë, i vjen inati pse i ka zënë tu vjedhë. Domethënë ju edhe i mbroni hajnat edhe ju vjen inati pse i zënë tu i vjedhë edhe i mohoni vazhdimisht, sepse kjo është politika dhe filozofia juaj. Buxheti është diskutuar edhe më herët kur është votuar për vitin 2026 dhe ju keni dhënë premtime si Qeveri dhe si mazhorancë që keni me bë një rishikim të mirëfilltë ku keni me i realizu edhe premtimet ose keni me planifiku edhe premtimet tuaja, por edhe institucionet të cilat janë të paplanifikuara që keni rritë në 21 ministri që do të realizohet edhe planifikimi i mirëfilltë buxhetor. Ndërsa kur po vini sot edhe po arsyetoni se kriza përshkak të luftës është menduar që t’i ndihmohet qytetarëve po vini pak ditë para se me u shpallë zgjedhjet. 90% po dihet që po shkojmë në zgjedhje, po prapë ju nuk po pajtoheni”, tha Lushtaku.
“Do të thotë ministër shqetësimet e mia edhe të ekspertëve çka kam mujt me kuptu janë të vërteta dhe sigurisht që në këtë aspekt po shihet qartë se ju e keni këtë buxhet vetëm për fushatë, nuk e keni për asgjë tjetër sepse nëse kishit dashtë me ndihmu qytetarin, e kishit ndihmu para se me ardhë kjo data e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Lushtaku.
Valon Hoti anëtar i komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje iu kundërpërgjigj Lushtakut duke i thënë se qytetarët nuk e shesin votën dhe se s’ka vota për të blerë.
“Po më bën shumë përshtypje brengosja e opozitës për parimet e premtimet tona, domethënë prej kur ky shqetësim që ne të mos lëvizim nga qëndrimet, parimet dhe zotimet që kemi dhënë në fushatë, ato janë premtimet tona po i jetësojmë, ju keni përfaqësu politikë e premtime diçka tjetër në fushatën e juaj, e keni marrë një rezultat, ne i kemi dhënë këto zotime, këto po i jetësojmë, edhe nuk e di ku është problemi këtu. Tjetra dëshirë tepër e madhe për zgjedhje, ç’është gjithë kjo dëshirë, ju jeni deputet kena pak muaj prej që kanë përfundu zgjedhjet edhe në njërën anë kërkoni zgjedhje me patjetër dhe nuk kontriboni në zgjedhjen e presidentit të ri dhe në anën tjetër, manifestoni frikë të paparë, po bëni pako për blerje votash, jo për elektorat, kjo është fyerje me thënë sot se po bleni vota, kush po e shet votën në Kosovë që po e blejmë, apo shesin vota qytetarët e Kosovës, a shitet qytetari i Kosovës, unë nuk besoj që shitet edhe vota nuk blehet”, tha Hoti.