Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Imazhi me pritjen e Ferdonije Qerkezit si mural kujtese e thirrje për drejtësi

Gazeta10
27 Prill 2026 - 9:36

Krejt ata që nga sot (e hënë) do të kalojnë nëpër një prej rrugëve kryesore të Prishtinës, nëpër bulevardin “Dëshmorët e kombit” do të shohin një mural që s’është veç imazh a shkathtësi artistike.

Është nëna nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi. Para ka gjashtë pjata. Në mars janë bërë 27 vjet, prej kur policia serbe dhunshëm ia ka ndarë nga ajo katër djemtë dhe bashkëshortin. Ia morën në shtëpi. Veç për një arsye: qenë shqiptarë. Imazhi me pritjen e nënës e bashkëshortes ka simbolikë të fortë. Është thirrje për kujtesë e realitet historik i krejt prindërve që gjatë luftës së viteve 1998-1999 iu kidnapuan fëmijët e familjarët e tjerë dhe s’dihet gjë për fatin e tyre. Me krejt të gjeturit nëpër varreza masive në Serbi e Kosovë, ende mungojnë mbi një mijë veta. Si Ferdonije Qerkezi ka shumë nëna.

E punuar nga artistja Ermira Murati, e njohur si “Orange girl”, vepra vjen sikurse shkrepja e njohur e Artan Korenicës dhe ekspozita e tij e pranverës së 2023-tës, kur Qerkezi u zhvendos në Muzeun Etnologjik të Prishtinës.

Kësaj radhe ky mural realizohet për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, në kujtim të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës dhe në nderim të familjeve që vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi. Pjatat që presin anëtarët e tjerë të familjes janë pak nga ekspozita e përhershme e Qerkezit në shtëpinë e saj muze në Gjakovë. Murali është nismë e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë. I kushtohet pritjes së palëkundur. Qerkezi dy djem nuk i pret më. Mbetjet mortore të tyre u gjetën më 2005. E për dy të tjerët e bashkëshortin s’di gjë, raporton Koha.net

Sipas njoftimit, ky mural nuk përfaqëson vetëm historinë e Qerkezit, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe shpresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.

“Murali synon të ruajë kujtesën kolektive, të rrisë ndërgjegjësimin dhe të rikujtojë rëndësinë e së vërtetës, llogaridhënies dhe solidaritetit me familjet e të zhdukurve”, shkruhet në njoftim. U bëhet thirrje qytetarëve që më 27 prill, duke nderuar kujtesën, të kërkohet drejtësi.

Një imazh fotografie i Artan Korenicës sikurse edhe vjen në mural kishte bërë bujë më 2018. Shërbeu edhe si pikënisje e ekspozitës së Korenicës më 2023. Fotografia më unike që ka realizuar ndonjëherë, do ta cilësonte kaherë mjeshtri i fotografisë. Ajo është e fuqishme edhe tash e edhe më 2023, kur mori një kontekst tjetër, të gjallë. Riprodhohej si veprim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.