
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka vlerësuar lart figurën e akademikut Rexhep Qosja gjatë seancës së veçantë të mbajtur në Kuvendin e Kosovës në nderim të tij.
Hamza tha se humbja e Qosjes përbën humbje të madhe për mendimin kritik dhe fjalën e lirë në shoqërinë shqiptare.
“Ne nuk e humbëm vetëm një njeri të dijes, e humbëm një institucion të mendimit kritik. E humbëm një tribun të fjalës së lirë dhe një ndërgjegje që nuk pranonte të heshtte. Dhe pikërisht sepse nuk heshti kurrë, ai do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen. Akademik Rexhep Qosja nuk ishte vetëm një rrëfimtar i kohës së tij. Ai ishte gjykatës i saj. Nuk ishte vetëm shpjegues i letërsisë, historisë apo politikës, por sfidues i tyre. Nuk ishte as produkt i rrethanave kohore, por ishte kundërshtim i tyre. Dhe në një mjedis që shpesh njeriu kërkon rehatinë, ai zgjodhi shqetësimin. Në një politikë që shpeshherë kërkonte kompromise, ai zgjodhi të vërtetën. Dhe në këtë shoqëri që shpesh harron, ai zgjodhi kujtesën. Këto ishin, këto nuk ishin zgjedhje të lehta, ishin zgjedhje me çmim të lartë”, tha ai.