Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gashi: Çdo tentim për të anashkaluar dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e presidentit përbën shkelje

Gazeta10
28 Prill 2026 - 11:06

Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se dispozitat kushtetuese lidhur me kuorumin për zgjedhjen e presidentit janë të qarta dhe se çdo tentim për t’i anashkaluar ato përbën shkelje të Kushtetutës.

Gashi, pas konsultave me grupin parlamentar, ka paralajmëruar për rrezikun e përshkallëzimit të situatës politike dhe sociale në vend, duke kërkuar respektim të rregullave kushtetuese.

“Unë jam këtu për konsulta politike me grupin parlamentar. Mendoj se neni kushtetues i Republikës së Kosovës është shumë i qartë. Ka vendim të Gjykatës Kushtetuese ku e gjykon këtë çështje të kuorumit të zgjedhjes së presidentit ku thotë që duhet të jenë prezent dy të tretat e të gjithë deputetëve. Çdo tentim për ta tejkaluar këtë rregull kushtetues është shkelje e kushtetutës dhe sjellje e vullnetshme e njëanshme për ndryshim të rendit kushtetues. Pra, po kalohet përtej të arsyeshmes, përtej logjikës, përtej politikës, përtej kushtetutshmërisë, përtej moralit, përtej të ligjshmes, përtej rregullit, po kalohet në përdorimin e forcës. Unë jam i bindur se kjo duhet të ndalohet, nuk duhet të lejojmë që të shkohet drejt një përplasjeje. Çdo gjë fillon kur njëra palë me vetëdije nuk do me i respektu rregullat të cilat janë vendosur. Përplasja sociale, politike që mund të ndodhë është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën, prandaj duhet të parandalohet”, tha ai.

Ai ka shtuar se vendimmarrja i takon grupit parlamentar, por ka shprehur shqetësim për drejtimin në të cilin po shkon vendi, duke e cilësuar situatën si të paarsyeshme dhe jokushtetuese.

“Nuk e di, është çështje e vendimit që merr grupi parlamentar, por unë si qytetar i Kosovës jam i shqetësuar me gjendjen në të cilën është, rrugën në të cilën po shkohet dhe rrugën e cila është zgjedhur. Është krejtësisht e paarsyeshme, e paligjshme, jokushtetuese. Me vetëdije secili qytetar i këtij vendi e di, për t’u zgjedhur presidenti i Republikës së Kosovës, për të filluar seanca duhet të jenë fizikisht 80 deputetë dhe për të votuar duhet të votojnë 80 deputetë. Përndryshe nuk ka kuorum dhe çdo tentim tjetër për të vepruar përtej kësaj është kundërkushtetuese dhe shkelje e parimit mbi bazën e të cilit jemi pajtuar të funksionojë shoqëria jonë”, tha ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.