
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë, kanë reaguar ndaj raportimeve të fundit dhe interpretimeve të raportit të Komitetit të të Drejtave të Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, duke thënë se janë bërë pasaktësi në paraqitjen e përmbajtjes së raportit.
Në njoftim thuhet se raporti është përgatitur me kërkesë të Zyrës së Avokatit të Popullit të Kosovës, por nuk ndikon në aktivitetin gjyqësor të DHSK-së.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) janë institucion gjyqësor i pavarur. As Avokati i Popullit i Kosovës, as Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk kanë të drejtën e paraqitjes së parashtrimeve në Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagim.
DHSK theksojnë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligji përkatës përcaktojnë qartë funksionimin dhe juridiksionin e tyre.
“Duke pasur parasysh këtë kornizë kushtetuese, raporti i Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, i porositur nga Avokati Popullit, nuk ndikon dhe nuk do të ndikojë në aktivitetin gjyqësor të Dhomave të Specializuara”.
Në reagim thuhet gjithashtu se disa interpretime të bëra nga Avokati i Popullit nuk përputhen me përmbajtjen reale të raportit.
“Në kundërshtim me deklaratat publike të Avokatit të Popullit në Kosovë, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk ka konstatuar se ndonjë prej vendimeve të gjykatësve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të të akuzuarve”, theksohet në reagim.
Sipas DHSK-së, raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara bie ndesh me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Po ashtu, raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tej.
Në njoftim përmendet edhe fakti se disa çështje të ngritura në raport janë aktualisht pjesë e procedurave juridike dhe mund të rishikohen në apel.
“Në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit gjithashtu nuk konstatohet asnjë shkelje e konventave të të drejtave të njeriut në vendimet në lidhje me paraburgimin”, thekson Gjykata Speciale.
Në fund, Dhomat e Specializuara rikujtojnë rolet e palëve në proceset gjyqësore dhe theksojnë se vetëm trupi gjykues merr vendime përfundimtare mbi fajësinë.
“Vetëm Trupi Gjykues vlerëson provat, bën konstatime mbi faktet e çështjes gjyqësore dhe në fund vendos nëse fajësia është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm”.