Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Punë të reja “shtetërore” për kompanitë e Zvonko Vesellinoviqit në Serbi

Gazeta10
11 Maj 2026 - 17:09

Segmentet e fundit të autostradës që duhet ta lidhë Serbinë me Malin e Zi, janë shpallur prioritete të Qeverisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, pavarësisht premtimeve që zgjasin prej vitesh, këto punime në jugperëndim të Serbisë nuk kanë nisur ende.

Por, në zonën e Sjenicës, gërmimet tashmë kanë filluar.

Në afërsi të fshatrave pranë rrugës së planifikuar të autostradës, gjatë dy vjetëve të fundit, dy gurore në pronësi kryesisht të kompanive të Zvonko Vesellinoviqit kanë marrë leje shtetërore, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Dokumentet që i siguroi REL-i, tregojnë se Ministria e Minierave e Serbisë u ka dhënë atyre leje shfrytëzimi.

Në dy lokacione të tjera rreth Sjenicës, këto kompani kanë marrë edhe leje për kërkime gjeologjike, me qëllim gjetjen e rezervave të reja të gurit gëlqeror.

Zvonko Vesellinoviq paraqitet në publik si biznesmen nga veriu i Kosovës dhe ish-partner biznesi i Millan Radoiçiqit, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në vitin 2023.

Të dy janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara prej më shumë se katër vjetësh, për akuza që lidhen me krim të organizuar dhe korrupsion.

Shteti i Serbisë, megjithatë, nuk i kushton vëmendje “listës së zezë” dhe vazhdon t’u ndajë punë fitimprurëse kompanive të Vesellinoviqit.

Ministritë përkatëse dhe kompanitë e Vesellinoviqit nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë i kualifikon këto firma për këto kontrata.

Kompania ndërtimore “Inkop”, së bashku me dy kompanitë e saj bijë “Novi Pazar-put” dhe “Betonjerka Aleksinac”, kanë fituar rreth 9.8 milionë euro në fund të vitit 2025, sipas raporteve të tyre financiare të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

Të ardhurat e këtyre kompanive vijnë, mes tjerash, nga punë të financuara nga buxheti i shtetit të Serbisë.

Ministria e Ndërtimit u ka lejuar kompanive të Vesellinoviqit të jenë nënkontraktore në ndërtimin e disa segmenteve rrugore, ndërsa punë ndërtimore u kanë dhënë edhe ndërmarrja publike “Putevi Srbije” dhe disa komuna, tregojnë dokumentet.

Ndërsa kompanitë fitojnë miliona, edhe biznesi i tyre vazhdon të zgjerohet.

Dy gurore në fshatrat e Sjenicës

Segmenti përfundimtar i autostradës drejt Detit Adriatik, përmes jugperëndimit të Serbisë, do të jetë rreth 100 kilometra i gjatë.

Afatet për përfundimin e kësaj traseje janë shtyrë prej vitesh, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se partnerë kryesorë do të jenë sërish kompanitë kineze, përmes marrëveshjeve direkte, pa tender.

Deri më tani, në mesin e dhjetëra nënkontraktorëve të kompanive kineze, me miratimin e shtetit serb, kanë qenë edhe kompanitë e Vesellinoviqit – kompania ndërtimore “Inkop” nga Quprija dhe kompania e saj bijë “Novi Pazar-put”.

Kompania “Novi Pazar-put”, në prill të vitit 2024, ka marrë leje nga Ministria e Minierave e Serbisë për shfrytëzimin e gurit gëlqeror pranë fshatit Bugjevo, në komunën e Sjenicës.

Rezervat në këtë lokacion vlerësohen rreth 550 mijë metra kub (afërsisht 1.5 milion tonë) gur – me një jetëgjatësi të planifikuar të gurores prej dhjetë vjetësh.

Guri që do të nxirret në këtë zonë, përdoret si material për ndërtimin e rrugëve.

Në zonën e shfrytëzimit, me sipërfaqe rreth 13 hektarë, është planifikuar nxjerrja e rreth 50 mijë metrave kub (135 mijë tonë) gëlqerore në vit.

“Novi Pazar-put” ka kërkuar lejen në shtator të vitit 2023, ndërsa ministria ka deklaruar se i është dorëzuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm për miratimin e shfrytëzimit.

Në këtë lokacion, siç tregon vendimi i Ministrisë së Minierave, edhe më herët është lejuar shfrytëzimi.

Leja e re është kërkuar në bazë të një projekti minerar të hartuar në vitin 2023.

Satelitët dhe pamjet ajrore, ndër vite, tregojnë punime intensive në këtë gurore.

“Novi Pazar-put”, që dikur ishte kompani shtetërore ndërtimi e specializuar në ndërtimin e rrugëve, që nga viti 2020 është në pronësi të “Inkop”-it, respektivisht të vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Që atëherë, të ardhurat e saj janë rritur.

Raporti financiar për vitin 2025, i analizuar nga Radio Evropa e Lirë, tregon se kjo kompani ka pasur të ardhura prej 29.8 milionë eurosh, ndërsa fitimi i saj ka qenë 2.7 milionë euro.

Institucionet shtetërore të Serbisë, vitin e kaluar, i kanë dhënë kësaj kompanie kontrata me vlerë prej së paku 1.4 milion eurosh, sipas të dhënave nga portali i prokurimeve publike.

Ajo është angazhuar për asfaltimin e rrugëve në Vrënjaçka Banjë dhe për mirëmbajtjen e rrugëve lokale në Tutin, Sjenicë dhe Novi Pazar.

Nga fillimi i vitit 2026, kompania ka marrë pesë kontrata me vlerë rreth 600 mijë euro.

Katër prej tyre janë nënshkruar në të njëjtën ditë me një ndërmarrje rrugësh nga Kraleva, për furnizim me agregat guri.

“Novi Pazar-put”, muajve të fundit, është promovuar edhe në rrjetet sociale për ndërtimin e rrugëve lokale në komunën e Lluçanit, në perëndim të Serbisë, për ndërtimin e një rrethrrotullimi në Prijepole, pranë kufirit me Malin e Zi, si dhe për renovimin e rrugës nga ai qytet drejt manastirit Milesheva.

Megjithatë, kontratat për këto punime nuk janë të publikuara në portalin e prokurimeve publike, prandaj nuk mund të përcaktohet se në çfarë kushtesh është përzgjedhur kompania “Novi Pazar-put” si realizuese e punimeve.

Ndër partnerët kryesorë të kompanisë “Novi Pazar-put”, sipas raportit financiar të saj, është edhe ndërmarrja shtetërore “Putevi Srbije”.

Në raportin për vitin 2025 përmendet një paradhënie nga “Putevi Srbije” në vlerë prej rreth 220 mijë eurosh.

Si partnere nga e cila “Novi Pazar-put” ka marrë paradhënie, përmendet edhe kompania kineze “Shandong” – kontraktore kryesore në disa projekte rrugore në Serbi.

Vesellinoviqët kanë blerë kompaninë me leje për nxjerrjen e gurit
Biznesi i guroreve “Novi Pazar-put” po zgjerohet edhe përmes marrjes së kompanive që kanë leje për shfrytëzim në zonën e Sjenicës.

Që nga dhjetori i vitit 2025, pronarë të kompanisë “Hots Kop” nga Novi Pazari janë bërë Vesellinoviqët.

Megjithatë, as kjo kompani dhe as “Novi Pazar-put” nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me detajet – pra, në çfarë kushtesh kompania e Vesellinoviqëve është bërë pronare e “Hots Kop”.

“Hots Kop” ka vetëm një të punësuar dhe në fund të vitit të kaluar ka pasur një borxh prej rreth 7 mijë eurosh në llogari.

Në korrik të vitit 2025, ajo ka marrë leje nga Ministria e Minierave për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në guroret sipërfaqësore “Tonjak”, në fshatin Rasno pranë Sjenicës, sipas dokumenteve të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.

Në atë zonë, sipas dokumentacionit, ndodhen rezerva prej mbi 7.7 milionë tonësh lëndë e parë.

Shfrytëzimi vjetor i planifikuar është rreth 100 mijë metra kub gëlqeror – ose rreth 250 mijë tonë.

Bëhet fjalë për një gurore me madhësi mesatare.

Zona e shfrytëzimit prej rreth 16 hektarësh, deri tani, ka qenë me pyje dhe kullota në pronësi shtetërore.

Dy leje për hulumtim të terrenit pranë Sjenicës
Përveç lejeve ekzistuese për gurore, “Novi Pazar-put” në zonën e Sjenicës po kryen edhe hulumtime të terrenit, në kërkim të vendburimeve të reja.

Ministria e Minierave, në gusht të vitit 2025, i ka dhënë kompanisë “Novi Pazar-put” miratimin për kërkime gjeologjike të gurit gëlqeror, si lëndë e parë për gur teknik ndërtimor në lokacionin Vranjevica, pranë fshatit Duga Polana.

Me këtë, kompanisë i është dhënë leja për të vlerësuar nëse në atë zonë ekziston vendburim guri dhe çfarë cilësie ka ai.

Shpimet dhe marrja e mostrave duhet të përcaktojnë sasinë e lëndës së parë dhe nëse guri është i përshtatshëm – për shembull, për prodhimin e betonit, ndërtimin e rrugëve dhe përdorime të ngjashme.

Ky është hapi i parë para hapjes së mundshme të një guroreje.

Zona e kërkimit përfshin një rreze prej rreth dy kilometrash katrorë, ndërsa leja për hulumtim është dhënë për dy vjet.

Kompania “Novi Pazar-put” ka edhe një leje tjetër aktive për kërkime në territorin e Sjenicës – në lokacionin Stupska Lisa, pranë fshatit Stup, sipas dokumenteve që ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Çfarë tjetër bëjnë kompanitë e Zvonko Vesellinoviqit?
Përveç kompanisë “Novi Pazar-put”, “Inkop” ka në pronësi edhe tri kompani me veprimtari të ndryshme – nga ndërtimi, te hoteleria dhe transporti.

Ndër projektet ndërtimore të “Inkop”-it, të cilat më herët janë hulumtuar nga Radio Evropa e Lirë, veçohet ndërtimi i autostradës së shpejtë nga Pozharevci deri në Gollubac në lindje të Serbisë, e quajtur “Korridori i Danubit”.

Për këtë projekt, shteti serb, në shkurt të vitit 2022, ka dhënë miratimin që “Inkop” të jetë një nga nënkontraktorët e kompanisë kineze “Shandong”.

Ky projekt, me vlerë 337 milionë euro, është kontraktuar pa tender, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Afatet janë shtyrë disa herë, ndërsa edhe çmimi i punimeve është rritur në 524 milionë euro.

Parashikimi i fundit është që kjo rrugë të përfundojë deri në fund të vitit 2026.

Ndërsa punimet vazhdojnë, nuk dihet saktësisht se sa ka fituar “Inkop” si nënkontraktor.

Kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, ndërsa fitimet nga punët shtetërore nuk pasqyrohen qartë në raportet financiare.

Sipas raportit më të fundit për vitin 2025, “Inkop” ka regjistruar të ardhura mbi 40 milionë euro dhe fitim mbi 6.3 milionë euro.

Në raport nuk specifikohet se me kë ka bashkëpunuar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.