Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kërçeli: Shumica parlamentare ka vepruar në një ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për vendimmarrje efikase dhe jo për të shmangur demokracinë

Gazeta10
12 Maj 2026 - 11:39

Ilir Kërçeli, ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se shumica parlamentare ka vepruar në një ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për vendimmarrje efikase dhe jo me idenë për të shmangur demokracinë.

Këtë deklarim, Kërçeli e bëri të martën në konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku u publikua raporti monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës.

“Qeveria dhe shumica parlamentare kanë vepruar në një ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për vendimmarrje efikase dhe jo me idenë për të shmangur demokracinë. Çdo projektligj që ka kaluar në institucionet përkatëse dhe asnjë vendim nuk është marrë jashtë rendit kushtetues. Për kritikat ndaj transparencës së kabinetit qeveritar, Qeveria Kurti ka ndërtu qeverinë mbi bazën e besimit qytetar dhe rezultateve zgjedhore. Emrat dhe struktura e kabinetit janë prezantuar në Kuvend sipas procedurave kushtetuese”, ka thënë Kërçeli.

Ish-deputeti i LVV-së tha se të gjitha seancat që kanë qenë në Kuvendin e Kosovës kanë qenë seanca për tentimin e përfundimit të disa projektligjeve të cilat kanë mbetur peng ndër vite.

“Kanë qenë disa projektligje që është dashur të përfundojnë sa më shpejtë. Në një emision që kam qenë tuajin ‘Tempus”, pata deklaru atëherë se ndoshta edhe kjo arsyeja se pse në disa projektligje po ngutemi është sepse shihej kjo ideja se sipas të gjitha gjasave vendi do shkonte në zgjedhje edhe ashtu ndodhi”, shtoi tutje Kërçeli.

Ish-deputeti shtoi se programi i Lëvizjes Vetëvendosje është i njohur publikisht edhe është konfirmuar me një mandat prej 50%.

Po ashtu, Kërçeli tha se gjatë prezantimit të raportit u tha se shumica refuzuan amendamentet e opozitës, por sipas tij, amendamentet nuk refuzohen për shkak të opozitës, por edhe mbi bazën e përmbajtjes dhe ndikimit buxhetor.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të martën organizoi konferencë diskutimi me temën: “Legjislatura e X-të e Kuvendit të Kosovës: Sfidat, krizat dhe mësimet për të ardhmen”, në kuadër të së cilës u publikua raporti monitorues për punën e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.