Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjykata Supreme refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Ratko Kragoviç, i pandehur për krime lufte

Gazeta10
13 Maj 2026 - 12:21

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve Goran (R.) Tomasheviç, Ratko (B.) Kragoviç, Sinisha (S.) Tomasheviç, Nebojsha (Z.) Tomasheviç, si dhe Predrag (O.) Tomaseviç, të gjithë nga fshati S., komuna e S., për shkak të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësja e të pandehurit Ratko Kragoviç.

Kërkesa ishte ushtruar kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPPS.nr.14/2026 të datës 03.03.2026, si dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special, PN.1.S.nr.61/2026 të datës 13.03.2026.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve Goran Tomasheviç, Ratko Kragoviç, Sinisha Tomasheviç dhe Predrag Tomaseviç, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, ndërsa i pandehuri Nebojsha Tomasheviç ishte liruar që të mbrohet në liri. Gjykata e Apelit e Kosovës kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë.

Mbrojtësja e të pandehurit Ratko Kragoviç, Jelena Kragoviç, ka pretenduar se në shkresat e lëndës nuk ekzistojnë prova që mbështesin dyshimin e bazuar ndaj të pandehurit dhe se paraburgimi ishte caktuar në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të palëve, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerësoi se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e pabazuar.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, nga provat e administruara deri në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet. Gjykata, gjithashtu vlerësoi se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, mundësinë e pengimit të procedurës penale dhe ndikimit në dëshmitarë apo në bashkë të pandehur.

Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm derisa me aktgjykim të formës së prerë nuk vendoset ndryshe.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.