Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nis afati për aplikim e partive dhe dorëzimin e listave për deputetë, KQZ: Duhet të bëhen deri me 10 dhe 12 maj

Gazeta10
02 Maj 2026 - 11:01

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ka filluar afati për aplikimin për certifikimin e partive të reja politike për pjesëmarrje në zgjedhje e parakohshme zgjedhore të 7 qershorit.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi. Ky i fundit, ka bërë të ditur edhe se, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, kësisoj, afati vlen vetëm për subjektet e reja politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

“Duke filluar nga data 2 maj dhe deri më 10 maj, subjektet e reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë online në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur”, tha Elezi për Express.

Po ashtu, Elezi ka bërë të ditur edhe se, deri më 12 maj, partitë duhet të dorëzojnë listën e emrat e kandidatëve për deputetë.

“KQZ ka vendosur afatin 11-ditor, nga 2 maj deri më 12 maj 2026, për subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Dorëzimi i listës me emrat e kandiatëve për deputetë, duhet të bëhet përmes platformës elektronike dhe procedura është e ngjashme me zgjedhjet e fundit që u mbajtën në dhjetor të vitit të kaluar”, ka deklaruar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.