Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kosova e dyta më e varfër, Agim Shahini: Kosova po fundoset ekonomikisht, Ukraina na tejkaloi – s’kemi me çka të mburremi

Gazeta10
18 May 2026 - 16:16

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2025 të publikuar nga Platforma WolrdAtlas, Kosova renditet e dyta si vendi më i varfër në Evropë, pas Moldavisë.

Për renditjen e Kosovës në vendin e dytë  ka folur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini i cili ka shprehur shqetësim lidhur me këtë raport për shkak se sipas tij Kosova ka vite që ka të njëjtin problem.

Shahini thotë se edhe Ukraina e cila që sa vite është në luftë qëndron më mirë sesa Kosova.

“Ekonomikisht Kosova është kah fundoset dhe nuk po i shohim fundin. Dhe fundi nuk mund të jetë që ne të falimentojmë krejt si shtet, por fundi mund të jetë kështu: vazhdimisht në trendin e rritjes jemi të fundit. Atë vend ku jemi tash, sipas raporteve ndërkombëtare, po mbesim gjithmonë të dytët pas Ukrainës, kur një vit më herët Ukraina ka qenë më e varfra në Evropë për shkak se ishte luftë. Për t’u krenuar duhet të krenohet tash Ukraina, sepse ishte më e varfra, tash ka dalë e treta, dhe Moldavia ka dalë e para. Kosova ka mbetur në vendin e njëjtë, s’kemi pasur asnjë ndryshim. Mburrjet e Kosovës, këtu për mburrje nuk ka vend. Ukraina ka hapësirë për mburrje për shkak se edhe për shkak të luftës, ajo ka ecur – po ecë me ekonomi përpara”, tha Shahini.

Ai përmendi arsyet se pse vendi qëndron kaq keq në raportet ndërkombëtare ekonomike e që njëra prej tyre është edhe rritja e importit dhe rënia e eksportit.

“Dhe pse jemi duke ardhur në këtë gjendje? Për arsye se dialogu mes sektorit privat nuk ekziston pothuajse. Eksportin e kemi në rënie, investimet në rënie. Presionin e importeve, është në rritje. Parashihet që brenda vitit 2026, ne do t’i kemi import rreth 8 miliardë euro, si asnjëherë më parë. Domethënë, jemi shtet konsumues. Për çdo ditë prodhimi është duke u dobësuar për shkak të konsumit të dobët. Bizneset e Kosovës po lypin tregje jashtë Kosovës, janë duke gjetur, janë duke investuar. Për herë të parë është duke ikur edhe kapitali i Kosovës jashtë Kosovës, jo më vetëm njerëz të papunë. Dhe gjithë kjo Kosovën e rendit një nga vendet me perspektivë më të vogël”, tha ai.

Shahini përmendi edhe fondin nga Plani i Rritjes, duke shtuar se tashmë Kosova është rrugës për ta humbur shkak i mosfunksionimit të institucioneve shtetërore.

“E them më të vogël edhe për shkak të një raporti tjetër, sepse fondi për rritje që është mbi 880 milionë, ne ende s’kemi marrë prej atij fondi asgjë. Rrezikojmë të humbim atë fond për shkak të mosfunksionimit të institucioneve të Kosovës, Kuvendit, Parlamentit. Asnjë shtet në Ballkan nuk ka që brenda 15-16 muajve t’i kemi tri palë zgjedhje, dhe kjo e varfëron edhe më shumë, dërgon mesazh negativ dhe investitorët hezitojnë të vijnë në Kosovë”, ka deklaruar i pari i AKB-së.

Sipas tij, nga Kosova po ikin investitorët dhe se kjo nuk është për t’u mburrur, por është dobësi.

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë e sanksionuar prej faktorëve ndërkombëtarë. Kemi qenë të sanksionuar rreth dy vite. Nuk kemi qasje apo mund t’i humbim qasjet në planin e rritjes për shkak të mosfunksionalizimit të shtetit dhe institucioneve të shtetit. Kemi rritje të importit për shkak të mungesës së prodhimit dhe mbështetjes së prodhimit. Kemi ikje të investitorëve. Dhe gjithë këto, këto nuk janë mburrje, këto janë dobësi. Kosova ka mbetur në vendin më të varfër në Ballkan. Po mbesim, vazhdojmë të mbesim. Nuk ka plan se si të rritemi, nuk ka plan si ta luftojmë varfërinë, dhe gjithë kjo neve po na faktohet se jemi vendi më i papërshtatshëm për me jetu. Ne nuk kemi edhe ne si Aleancë, edhe institucionet e shtetit, edhe qytetarët e Kosovës nuk kanë hapësirë me çka të mburremi ne sepse nuk kemi asgjë të zhvilluar në brend që mburremi”, ka thënë ai.

“I vetmi brend i Kosovës që është, janë sportistët të cilët po marrin medalje, por ato janë individuale, jo kolektive. Dhe gjithë kjo neve nuk na bën të kënaqemi. Për atë AKB-ja gjithmonë është duke reaguar, duke e shprehur shqetësimin e komunitetit të biznesit, të qytetarëve të vet. Jemi duke parë se e ardhmja e vendit është duke u zbehur dhe për këtë fajtor nuk është qytetari, por ata që qytetarët t’ia japin besimin. Janë qytetarët ata që presin ato t’i realizojnë ato premtime të dhëna, dhe premtimet e dhëna nuk po realizohen. Për atë, vendi i Kosovës është duke u varfëruar gjithmonë. E së fundit tash edhe raporti që në Kosovë është mbi 7% inflacioni, kjo nuk është mburrje. Kosova inflacionin më të madh e ka në Evropë”, tha Shahini./Ekonomia Online

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.