
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, bashkë me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, Nita Shala, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, këshilltarin e Ministrit të Jashtëm të Italisë, Nicola Caputo, zëvendëspresidentin e Asociacionit AIC, Donato Scaglione, dhe përfaqësuesin e Horës së Arbëreshëve, Antonino Cusenza, mori pjesë sot në Forumin Itali–Kosovë për Agrobiznes, një ngjarje e rëndësishme që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë, me fokus të veçantë në sektorin e agrobiznesit.
Në kuadër të forumit, u theksua rëndësia e marrëdhënieve të shkëlqyera bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Italisë, si dhe roli i këtij bashkëpunimi në nxitjen e investimeve, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e partneriteteve të reja në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Një vlerë e veçantë e këtij forumi ishte pjesëmarrja e fermerëve, përfaqësuesve të agrobizneseve dhe investitorëve nga Italia, të cilët vizituan Kosovën për t’u njohur nga afër me potencialin që ofron vendi ynë në sektorin e bujqësisë, përpunimit ushqimor dhe zhvillimit rural. Prania e tyre dëshmon interesin në rritje për krijimin e partneriteteve konkrete dhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Forumi mblodhi përfaqësues institucionalë, prodhues vendorë dhe kompani nga të dyja vendet, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e mundësive për investime dhe diskutimin e formave konkrete të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Muja theksoi se Kosova është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Italinë, jo vetëm në bujqësi dhe agrobiznes, por edhe në sektorë të tjerë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit.
“Pjesëmarrja e fermerëve dhe agrobizneseve italiane në këtë forum është dëshmi e interesit konkret për bashkëpunim me Kosovën. Ne jemi të hapur për partneritete me Italinë në fushën e bujqësisë, agropërpunimit dhe në sektorë të tjerë me interes të ndërsjellë. Besojmë se përmes investimeve, shkëmbimit të njohurive dhe transferimit të teknologjisë mund të krijojmë vlerë të shtuar për prodhuesit dhe ekonomitë e të dy vendeve”, u shpreh Ministri Armend Muja.
Ministri Muja ritheksoi angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të krijuar një mjedis të favorshëm për investitorët dhe për të mbështetur iniciativa që rrisin konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe fuqizojnë eksportin e produkteve vendore