
Sadik Zeqiri, i mbijetuari i masakrës së Dubravës, në emisionin Gazeta, ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetuan të burgosurit shqiptarë gjatë masakrës në burgun e Dubravës në vitin 1999.
Sipas Zeqirit, sulmet ndaj të burgosurve ishin të pandërprera dhe forcat serbe përdorën armë të ndryshme, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe shumë të plagosur.
“Kanë gjuajtur me bomba dhe me të gjitha llojet e armëve që i kanë pasur. Kanë vrarë sa kanë mundur. Atëherë kanë rënë rreth 80 veta dhe shumë të tjerë janë plagosur”, deklaroi ai.
Zeqiri tha se të burgosurit ndodheshin shumë afër forcave serbe dhe, sipas tij, ishte çudi si nuk u vranë të gjithë.
“Bomba binin në fushën sportive dhe pjesët e granatave i godisnin të burgosurit. Edhe unë jam plagosur nga një pjesë granate”, u shpreh ai.
Ai rrëfeu se pas ndaljes së përkohshme të sulmeve, të burgosurit filluan të tërhiqnin trupat e të vrarëve dhe të plagosurve, ndërsa përpiqeshin t’i identifikonin viktimat duke ua shkruar emrat në letra dhe duke ua futur në xhepa.
“S’kemi ditur kush do të mbetet gjallë. I kemi identifikuar përmes rrobave dhe ua kemi shkruar emrat që familjarët t’i njohin”, tha Zeqiri.
Sipas tij, mungesa e ndihmës mjekësore bëri që shumë të plagosur të mos arrinin të mbijetonin.
“Nëse do të kishte pasur mjekë dhe trajtim, shumë prej atyre që vdiqën do të kishin shpëtuar”, deklaroi ai.