Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shifra alarmate, Azemi: Për katër muaj 12 vdekje në vendin e punës

Gazeta10
21 May 2026 - 18:46

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Vushtrri, ku një punëtor 31-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë nga një objekt ndërtimi ku ishte duke punuar. Po të njëjtën ditë, një tjetër punëtor nga Ferizaj ka pësuar lëndime serioze në vendin e punës dhe po trajtohet në spital.

Lidhur me rastet e fundit tragjike në sektorin e ndërtimtarisë, në  prononcim për emisionin Gazeta, ka folur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili e cilësoi gjendjen si alarmante dhe akuzoi institucionet për mungesë reagimi.

“Në rend të parë shfrytëzoj rastin t’u shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit. Sot ishte një ditë jashtëzakonisht e kobshme. Humbëm një punëtor në moshën 31-vjeçare dhe një punëtor tjetër kishte lëndime serioze nga Ferizaj. Punëtori në Vushtrri, sipas informatave zyrtare, në momentin që ka rënë nga një hapësirë e lartë, thuajse në vend e ka humbur jetën, ndërsa ai në Ferizaj qëndron në spital dhe sipas informatave ka lëndime të rënda, por është jashtë rrezikut për jetën”, deklaroi Azemi.

Ai tha se Sindikata ka paralajmëruar prej kohësh për kushtet e rënda në të cilat punojnë punëtorët e ndërtimtarisë.

“Për ne si sindikatë është edhe më e rëndë, sepse kemi folur gjatë që gjendja e këtyre punëtorëve është shumë e rëndë dhe kjo nuk po e jep efektin e vet. Vetëm për një muaj ditë i kemi humbur tre punëtorë”, u shpreh ai.

Azemi kritikoi edhe institucionet përgjegjëse, duke thënë se mungon angazhimi serioz nga Qeveria, pronarët e kompanive dhe inspektorati.

“Qeveria, pronarët e kompanive dhe inspektorati nuk janë në nivelin e duhur. Ne e dimë që ministria mund të bëjë shumë më shumë. Një numër kaq i madh i viktimave është alarmues. Për katër muaj e gjysmë t’i kemi 12 raste të vdekjes, kjo është një shifër tmerruese”, tha ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.