Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haradinaj: Në burgun e Dubravës u krye një nga krimet më çnjerëzore të regjimit serb

Gazeta10
22 May 2026 - 9:30

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar për masakrën në burgun e Dubravës dhe atë të Vushtrrisë, duke thënë se në burgun e Dubravës u krye një nga krimet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve.

Ndërsa, për masakrën e Vushtrrisë tha se u vranë 68 civilë në rrugën “22 Maji”, trupat e 67 prej tyre u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Serbi.

Postimi i tij i plotë:

Nga 19 deri më 22 maj 1999, në burgun e Dubravës u krye një nga krimet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve. Mbi 130 të burgosur u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën, në një përpjekje mizore për të shuar jetë dhe për të thyer shpirtin e rezistencës sonë. Masakra e Dubravës mbetet dëshmi e qartë e politikës gjenocidale dhe të spastrimit etnik të ushtruar ndaj popullit shqiptar.

22 maji i vitit 1999 na kujton edhe masakrën në Vushtrri, ku forcat serbe vranë mizorisht burra, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm. Nga 68 civilët e vrarë në rrugën “22 Maji”, trupat e 67 prej tyre u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Serbi, një dëshmi tronditëse e përmasave të krimit dhe përpjekjes për fshehjen e tij.

Rruga drejt lirisë ishte e rëndë dhe e mbushur me sakrifica të panumërta. Edhe sot, Serbia vazhdon të mos pranojë përgjegjësinë për krimet e kryera, ndërsa obligimi ynë mbetet të mos ndalemi së kërkuari drejtësi.

Kosova nuk harron.

Lavdi e përjetshme për të rënët për liri!

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
22 May 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.