Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

Gazeta10
29 May 2026 - 14:40

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten ka akredituar 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ndërsa ka refuzuar akreditimin e dy organizatave për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.

KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për grupin e parë të organizatave vëzhguese për monitorimin e procesit zgjedhor.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se dy organizata nuk janë akredituar pasi nuk kanë përmbushur kriteret e parapara.

“Advocacy Center for Democratic Culture , ka aplikuar për tu akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë 07.06.2026. Zyra, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë joqeveritare, ka konstatuar se dokumentacioni i dorëzuar nuk është në përputhje me nenin 54, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Nga analiza e statutit, dhe fushë veprimtarisë së organizatës në fjalë, rezulton se ajo nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me proceset zgjedhore, apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet shprehimisht nga dispozitat ligjore në fuqi për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Zyra i rekomandon KQZ-së, refuzimin e kërkesës për akreditim të “Advocacy Center for Democratic Culture” për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Po ashtu, Buzhala tha se Zyra ka rekomanduar refuzimin e akreditimit edhe për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju”, pasi ka përdorur terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.

“Odbor za kontrolu i opservaciju, ka aplikuar për tu akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë 07.06.2026. Zyra, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë ndërkombëtare, ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Përdorimi i kësaj terminologjie është në kundërshtim edhe me parimet themelore kushtetuese mbi sovranitetin, identitetin shtetëror dhe respektimin e rendit juridik të Republikës së Kosovës nga çdo subjekt që kërkon akreditim dhe ushtrim të aktivitetit në territorin e Republikës së Kosovës. Për rrjedhojë, duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, si dhe në obligimin institucional për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, Zyra vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për akreditim të kësaj organizate. Zyra i rekomandon KQZ, refuzimin e kërkesës për akreditim të “Odbor za kontrolu i opservaciju” për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 ambasada dhe 1 institucion vendor.

OJQ VENDORE:

1. INTERNEWS KOSOVA – 23 vëzhgues;

2. BIRN KOSOVO – 45 vëzhgues;

3. Demokracia për Zhvillim (D4D) – 6 vëzhgues;

4. Kosova Democratic Institute – 305 vëzhgues;

5. Syri i Vizionit – 153 vëzhgues.

ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

1. Nacional Democratic Institute – 14 vëzhgues.

MEDIA VENDORE:

1. Urgjent Inc. – 3 vëzhgues;

2. Albswiss Media SHPK – 2 vëzhgues;

3. VIM INFO DOO – 14 vëzhgues;

4. Telegrafi – 6 vëzhgues;

5. Lajmi.net – 4 vëzhgues;

6. KoSSev – 5 vëzhgues;

7. Zëri – 3 vëzhgues;

8. Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;

9. Kontakt Kosvska Mitrovica/Kontakt Plus – 4 vëzhgues;

10. TV DUKAGJINI – 38 vëzhgues;

11. RTV PULS D.O.O – 7 vëzhgues;

12. Radio Kim – 3 vëzhgues;

13. KOHA – 23 vëzhgues.

MEDIA NDËRKOMBËTARE:

1. The Associated Press – 8 vëzhgues;

2. Novinska agencija Tanjug i Tanjug televizija – 4 vëzhgues;

3. Top News – 5 vëzhgues;

4. European Pressphoto Agency (EPA Images) – 1 vëzhgues;

5. Mondo Inc doo – Kurir televizija – 2 vëzhgues;

6. Radio Evropa e Lire – 3 vëzhgues;

7. GERMAN RADIO &TV ARD – 3 vëzhgues.

PËRFAQËSI DIPLOMATIKE:

1. Ambasada e Japonisë në Kosovë – 4 vëzhgues;

2. Ambasada e Italisë në Prishtinë – 4 vëzhgues.

INSTITUCION VENDOR:

1. Institucioni i Avokatit të Popullit – 67 vëzhgues.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi edhe rekomandimin për pezullimin e partisë politike të regjistruar “EKO LËVIZJA E GJELBËR”.

Sipas Buzhalës, pezullimi është rekomanduar për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor të partisë brenda afatit shtesë të dhënë nga KQZ-ja..;eo

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
29 May 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.