
Kandidati për deputet i LDK’së dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se nga Marrëveshja e Washingtonit buron edhe projekti për gazin amerikan.
Hoti thotë se para gjashtë vitesh kjo Marrëveshje është quajtur tradhti kombëtare. Ai thotë se ata që e kanë kundërshtuar e kanë bërë për interesa të ngushta politike dhe për shkak të orientimeve anti-perëndimore.
“Nesër, më 7 qershor, të gjithë ata që e kundërshtuan Marrëveshjen dhe këtë projekt duhet të paguajnë faturën politike”, ka shkruar Hoti.
Postimi I plotë:
Gazi amerikan – ky projekt që më në fund u përqafua nga të gjithë gjatë kësaj fushate zgjedhore.
Para gjashtë vitesh, Marrëveshjen e Uashingtonit, nga e cila buron ky projekt, disa e quajtën tradhti kombëtare. Disa të tjerë, gjithë aleancën e Kosovës me SHBA-në e kualifikuan si aleancë të interesave, aleancë të frikës nga braktisja.
U desh të kalojnë gjashtë vjet, të paguajmë shumë më shtrenjtë faturat e energjisë dhe të importojmë afër 1 miliard euro energji elektrike në mënyrë që këta persona të ndryshojnë mendim.
Unë jam i bindur se qysh në fillim ka qenë e ditur për të gjithë rëndësia e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe e këtij projekti strategjik. Ata që e kanë kundërshtuar e kanë bërë këtë për interesa të ngushta politike dhe duket qartë për shkak të orientimeve jo-perëndimore të tyre.
Nesër, më 7 qershor, të gjithë ata që e kundërshtuan Marrëveshjen dhe këtë projekt duhet të paguajnë faturën politike.