
Koordinatorja rajonale për zgjedhje, Laura Pula tha se Zyra e Prokurorit të Shtetit po bën punën institucionale për të mbrojtur votën e qytetarëve në terren. Pula tha se deri tani janë raportuar disa raste të dyshuara gjatë procesit të votimit.
“Kemi një rast në Mamushë ku dy votues kanë tentuar të votojnë bashkarisht që nuk është lejuar, një rast tjetër në Gllogoc një votues ka kryer veprën penale të asgjësimit të dokumentave të votimit i cili tashmë është ndaluar për 48 orë”, tha fillimisht ajo.
Tutje, ajo tha se puna e prokurorit është ‘mbrojtja e votës së sovranit’.
Në anën tjetër, Pula tregoi për veprat penale me të cilat mund të ballafaqohen qytetarët rreth procesit të zgjedhjeve, teksa u bëri thirrje atyre që të mos e fotografojnë votën.
“I kemi 11 vepra penale kundër të drejtës së votimit. Cënimi i përcaktimit të lirë të votuesve është kur dikush e detyron dikë të votojë kundër dëshirës së vet qoftë në varësi ekonomike, qoftë në kërcënim apo kanosje. Cënimi i fshehtësisë së votimit, ne të gjithë e dimë që vota është e fshehtë, prandaj bëj apel të gjithë qytetarëve që kur të shkojnë te kutitë e votimit të mos i fotografojnë votat, pasi automatikisht do të ndalohen”, tha ajo.