
Analisti politik Fidan Rama ka vlerësuar se pjesëmarrja e ulët në zgjedhjet parlamentare përbën një mesazh të qartë të qytetarëve ndaj klasës politike.
Ai tha se nga viti 2010 e deri më sot, pothuajse në secilin proces zgjedhor është regjistruar rritje e numrit të votuesve prej 15 deri në 20 mijë qytetarësh, ndërsa këtë herë situata paraqitet ndryshe.
“Sot, deri në orën 17:00, kanë votuar vetëm 574 mijë qytetarë. Mendoj se kjo është një shifër alarmante, e cila përcjell një mesazh të qartë të qytetarëve ndaj politikës”, deklaroi Rama.
Sipas tij, qytetarët janë lodhur nga lëvizjet dhe kalkulimet politike që, siç tha ai, shpesh bëhen për interesa personale dhe jo në interes të shtetit.
“Kjo po vazhdon dhe nuk po ndalet. Ka pasur raste kur janë bërë përqasje politike dhe lëvizje taktike për interesa personale e jo në interes të shtetit. Kjo ka shkuar te qytetari dhe ka ndikuar në qëndrimin e tij ndaj procesit zgjedhor”, tha ai.
Rama vlerësoi se mosdalja në zgjedhje mund të shihet si një formë proteste qytetare.
“Unë mendoj se kjo është një lloj proteste e qytetarëve. Po shohim një bllokim të procesit dhe qytetarët po e shprehin pakënaqësinë e tyre përmes mosdaljes në votime”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje duhet të shërbejë si sinjal alarmi për subjektet politike dhe institucionet, të cilat duhet të reflektojnë mbi arsyet e këtij qëndrimi të qytetarëve.