
Nesër në të gjitha shkollat fillore të Komunës së Prishtinës, do të fillojnë vizitat shëndetësore sistematike për nxënësit.
Kjo është bërë e ditur nga komuna nëpërmjet një njoftimi për medie, transmeton Gazeta10.
Në njoftim, bëhet e ditur se këto vizita do të realizohen nga stafi i kujdesit parësor shëndetësor dhe organizohen në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit, si dhe kanë si synim kontrollin shëndetësor të të gjithë nxënësve në shkolla, parandalimin e sëmundjeve, promovimin e shëndetit dhe edukimin shëndetësor.
“Vizitave sistematike i u nënshtrohen të gjithë nxënësit nga klasa e parë, pestë dhe klasa e nëntë. Kjo mundëson krahasimin me rezultate konkrete dhe të matshme për shëndetin e të gjithë nxënësve dhe masave konkrete që pritet pastaj të ndërmerren bazuar në këto rezultate”./Gazeta10