Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Beteja për mandatet e fundit, kush janë kandidatët që rrezikojnë të humbasin ulësen në Kuvend?

Gazeta10
15 June 2026 - 13:41

Numërimi i votave për zgjedhjet e 7 qershorit ende nuk është përmbyllur plotësisht, ndonëse pjesa më e madhe e fletëvotimeve është përfshirë në rezultatet preliminare, përfshirë votat e rregullta në nivel vendi, ato nga përfaqësitë diplomatike dhe një pjesë e votave me postë – të cilat po vazhdojnë të procesohen.

Derisa mbeten për t’u numëruar edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, që mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare të kandidatëve në kufijtë e mandateve, KQZ ka përditësuar se cilët kandidatë aktualisht kanë siguruar ulëse.

Në disa subjekte politike, diferencat mes kandidatëve që aktualisht mbajnë mandatet e fundit dhe atyre që ndodhen menjëherë pas vijës së zgjedhjes numërohen me dhjetëra.

Sipas të dhënave aktuale për ndarjen e ulëseve në Kuvend, panorama politike paraqitet kështu:

Lëvizja Vetëvendosje

Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por gara brenda listës së kandidatëve mbetet ende e hapur në disa pozicione kyçe.

Në zonën e fituesve të mandatit nga kjo parti, katër kandidatët e fundit aktualisht janë Jeton Raka me 14,104 vota, Valon Peci me 14,076 vota, Naim Bardiqi me 13,996 vota dhe Drita Pajaziti me 13,867 vota.

Por, këto pozita nuk konsiderohen ende të sigurta, pasi diferencat me kandidatët që ndodhen menjëherë pas tyre janë shumë të vogla dhe mund të ndryshojnë me numërimin e votave të mbetura, transmeton Klankosova.tv

Në garë të ngushtë për mandat janë edhe Fitim Haziri (13,684 vota), Sylejman Meholli (13,683), Egzon Azemi (13,574), Fjolla Ujkani (13,493), Vigan Qorrolli (13,316), Luan Aliu (13,248), Ilir Qeriqi (13,223).

Partia Demokratike e Kosovës

Në disa raste, renditja brenda listës është ndikuar edhe nga kuota gjinore, siç është rasti te te Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka siguruar 23 ulëse në Kuvend.

Në këtë parti që doli e dyta, kandidatët Hajdar Beqa dhe Xhavit Haliti, ndonëse kanë më shumë vota se Eliza Hoxha, nuk kanë arritur të sigurojnë mandat për shkak të rregullave të përfaqësimit gjinor, të cilat kanë favorizuar Hoxhën.

E njëjta situatë është reflektuar edhe në rastin e Adriatik Berishës, i cili ka më shumë vota se Ariana Musliu-Shoshi, por kjo e fundit ka fituar ulëse për shkak të kuotës, raporton Klankosova.tv

Megjithatë, pozita e Musliu-Shoshit mbetet ende e ndjeshme, pasi votat e mbetura, përfshirë ato me postë, mund të sjellin lëvizje në fund të listës dhe të ndikojnë në përbërjen finale të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës

Te LDK janë të sigurta 19 ulëse.

Kandidatja e 19-të në listë është Jeta Statovci, ndërsa shumë pranë saj mbetet Adelina Thaqi-Meta, e cila është vetëm rreth 240 vota larg, duke e mbajtur të hapur mundësinë për ndryshim në fund të procesit të numërimit.

Aleanca

Edhe Aleanca ka siguruar 7 ulëse në këtë fazë, por për shkak të kuotës gjinore, Bekë Berisha dhe Burim Ramadani mbeten jashtë Kuvendit, ndërsa mandatet aktualisht i kanë marrë Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu.

Megjithatë, për këtë subjekt pritet një zhvillim i mëtejshëm, pasi Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj kanë paralajmëruar dorëheqje nga mandatet e fituara, çka do të mundësonte hyrjen në Kuvend të Berishës dhe Ramadanit si zëvendësues.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.