
Ankandi për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë së erës pritet të shënojë një hap të rëndësishëm në diversifikimin e burimeve energjetike të Kosovës dhe rritjen e investimeve në energjinë e pastër.
Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë organizoi konferencën zyrtare para-dorëzimit të ofertave për tenderin e energjisë së erës në Kosovë (Kosovo Wind Tender – Pre-Bid Conference), përmes së cilës vendi synon të shtojë deri në 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese nga era.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë është i domosdoshëm për përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian dhe për forcimin e prodhimit vendor të energjisë.
“Janë të domosdoshme burimet e ripërtishme të energjisë, që të jemi në përputhje me zotimin që i kemi dhënë drejt BE-së. Qasja e Kosovës në vitet e fundit ka qenë e qartë. Po shtojmë prodhim vendor të energjisë që vjen nga burimet e ripërtrishme dhe po sigurohemi që çdo investim i ri të jetë afatgjatë… Ankandi për energjinë e erës, që po diskutojmë sot, i shërben pikërisht këtij vizioni. Përmes tij, Kosova do të shtojë deri në 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese dhe ky proces vjen pas përmbylljes së suksesshme të një faze të mëhershme të kualifikimit, ku tre ofertues të para kualifikuar tashmë janë të ftuar të përgatisin ofertat e tyre teknike dhe financiare”, tha Rizvanolli.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, e cilësoi konferencën si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt një sistemi elektroenergjetik më të qëndrueshëm dhe konkurrues.
“Kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt një sistemi elektroenergjetik të qëndrueshëm, më konkurrues dhe më të integruar me zhvillimet evropiane në sektorin e energjisë. Organizimi i ankandit për energji të ripërtëritshme nga era përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit të sektorit energjetik, rritjes së sigurisë së furnizimit dhe përmbushjes së objektivave kombëtare për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të energjisë. Sektori i energjisë në Kosovë, si dhe në shumë vende të tjera, po kalon një periudhë transformimi të thellë. Sfidat me të cilat përballemi, siç janë dekarbonizimi, siguria energjetike, rritja e kërkesës për energji dhe procesi i integrimit të tregjeve të energjisë elektrike, kërkojnë politika të kujdesshme, po ashtu edhe vendime të kujdesshme që nxisin investime të qëndrueshme. Në këtë kontekst, energjia e erës paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën”, tha ai.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, bëri të ditur se janë rezervuar tashmë kapacitetet e nevojshme të kyçjes në rrjet për të gjithë ofertuesit pjesëmarrës, me qëllim garantimin e një procesi të barabartë dhe të sigurt.