
Në një lidhje direkte në emisionin “Adresa e Ankesave” në Kanal 10, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, kritikoi qasjen e disa komunave ndaj menaxhimit të mbeturinave, duke thënë se ato po veprojnë në mënyrë të njëanshme dhe po e politizojnë këtë çështje më shumë sesa duhet.
Reçica theksoi se menaxhimi i mbeturinave nuk duhet të shndërrohet në temë politike, por të trajtohet përmes investimeve afatgjata dhe projekteve kapitale që sigurojnë zgjidhje të qëndrueshme për qytetarët.
Ai u shpreh se zgjidhjet afatshkurtra nuk e zgjidhin problemin, pasi pas përfundimit të kontratave situata mund të rikthehet sërish në gjendjen e mëparshme.
Duke folur për Komunën e Obiliqit, Reçica tha se ajo ka zgjedhur një model tjetër të organizimit të shërbimit, duke investuar në një ndërmarrje lokale dhe duke angazhuar punëtorët e ish-njësisë së “Pastrimit”. Sipas tij, kjo ngre pikëpyetje edhe për bazën ligjore të funksionimit të kësaj ndërmarrjeje, pasi ligji nuk lejon dualizëm kur komuna është aksionare në një ndërmarrje publike.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje janë zhvilluar diskutime edhe me përfaqësuesit komunalë, duke shtuar se komunat, si aksionare të ndërmarrjeve publike, kanë përgjegjësi për të marrë vendime që garantojnë funksionim të qëndrueshëm të shërbimit të menaxhimit të mbeturinave.