
Në një lidhje direkte në emisionin “Adresa e Ankesave” në Kanal 10, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Pejës, Valmir Deqani, bëri të ditur se komuna do të vazhdojë mbështetjen për sektorin e bujqësisë përmes rritjes së subvencioneve dhe ndarjes së mekanizmit bujqësor për fermerët.
Deqani njoftoi se buxheti për subvencionet në Drejtorinë për Bujqësi është rritur në 1.2 milion euro, duke theksuar se Komuna e Pejës do të vazhdojë të jetë përkrahëse e vazhdueshme e fermerëve.
Ai bëri të ditur se, në kuadër të subvencioneve komunale, këtë vit do të ndahen 65 traktorë për fermerët që punojnë tokën, ndërsa paralajmëroi se gjatë vitit të ardhshëm do të shpërndahen edhe 70 traktorë të tjerë, si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin e bujqësisë.
Sipas Deqanit, këto investime do t’ua lehtësojnë punën fermerëve, do të rrisin produktivitetin dhe prodhimin bujqësor, ndërsa Komuna e Pejës do të vazhdojë të realizojë edhe projekte të tjera në mbështetje të këtij sektori.