Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit kushtetues

Gazeta10
09 July 2026 - 8:38

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si përmbyllje të një procesi të rëndësishëm demokratik për vendin.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu tha se me certifikimin e rezultateve, vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës, si brenda vendit ashtu edhe nga diaspora, ka marrë formën e tij përfundimtare institucionale.

Ajo shprehu mirënjohje për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit, duke vlerësuar profesionalizmin, përgjegjësinë dhe përkushtimin e tyre.

Haxhiu bëri të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke i hapur rrugë themelimit të institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve.

Në fund të reagimit të saj, ushtruesja e detyrës së Presidentes theksoi se besimi i dhënë nga qytetarët përfaqëson një përgjegjësi të madhe, duke shtuar se çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
08 July 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.