
Një mjet i dyshuar shpërthyes është gjetur sot në rrugën “Gucia” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Prishtinë, Enis Pllana.
Ai ka njoftuar se Policia ka siguruar perimetrin dhe ka evakuuar qytetarët nga zona.
“Rreth orës 09:00, Policia ka pranuar një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën “Gucia”, në Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, duke siguruar perimetrin dhe evakuuar qytetarët nga zona, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre. Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet përkatëse policore për trajtimin e rastit, ndërsa kanë dalë edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e tyre”, ka thënë Pllana.