Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Abdixhiku: S’është deponuar asnjë nënshkrim për shkarkimin tim, nuk e mendoj dorëheqjen

Gazeta10
09 July 2026 - 19:21

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit, derisa ka bërë të ditur se nuk e mendon dorëheqjen pas rezultatit zgjedhor.

Abdixhiku tha se delegatët e Kuvendit të LDK-së kanë të drejtë statutare të kërkojnë mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm, por shtoi se zgjedhjet e rregullta në parti do të mbahen vitin e ardhshëm.

“Në LDK nuk është deponuar asnjë nënshkrim deri më tani. Proceduralisht janë të lirë një e treta e delegatëve të Kuvendit kurdo që dojnë, sa herë që dojnë, t’i deponojnë nënshkrimet për thirrje të Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së. Përmbajtësisht për ne, dhe për Kryesinë e LDK-së, zgjedhjet e rregullta të LDK-së mbahen në afatet e rregullta. Ato janë vitin e ardhshëm. Pra, nuk ka distancë të largët kohore dhe për më tepër, përmbajtësisht LDK-ja ka dalë prej një Kuvendi të 31 janarit. Dhe një parti serioze nuk matet me sa herë, çfarëdo qoftë ajo dëshiron të mbajë kuvende, po se sa i respekton vendimet e veta”, tha ai.

Ai u zotua se çdo kërkesë eventuale për Kuvend të jashtëzakonshëm do të trajtohet sipas procedurave statutare.

“Gjithsesi, zotohem, dhe këtu para jush edhe para të gjithë të tjerëve, që sa herë që deponohet ndonjë nënshkrim çfarëdo qoftë ai, do ta trajtoj menjëherë sipas rregullave statutare dhe Kuvendin në fjalë. Dhe natyrisht vendimet e Kuvendit janë demokratike, as jemi të prerë, as qëndrojmë me forcë, janë vullnete të lira demokratike. I lirë ka qenë dhe vullneti i 31 janarit. Natyrisht, do të dëshiroja që LDK-ja të merrej sa më pak me çështje që e ndajnë LDK-në. Pra, nuk i dëshiroj ndarjen e LDK-së. Besoj që kur kemi pasur një Kuvend para disa kohe, e tani po kemi nisma le të themi të njëanshme, nuk i bëjnë mirë LDK-së”, tha ai.

I pyetur nëse e mendon dorëheqjen pas rezultatit zgjedhor, Abdixhiku tha se nuk e mendon një gjë të tillë.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.