
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Ilir Ferati, ka deklaruar se Vetëvendosja nuk duhet të merret me zhvillimet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia për formimin e institucioneve u takon fituesve të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes së sotme të LDK-së, Ferati tha se partia aktualisht është e fokusuar në çështje procedurale dhe organizative që lidhen me mbajtjen e Kuvendit të LDK-së.
“Nuk mendoj se Vetëvendosja ka nevojë me mendu për punët tona. Ajo është partia fituese, e kryetari jonë ka deklaruar dje se i pezullon takimet me ta”, deklaroi Ferati.
Ai rikujtoi se përgjegjësia për zhbllokimin e situatës politike dhe formimin e institucioneve është te subjekti që doli i pari në zgjedhjet e 7 qershorit.
Sipas Feratit, pavarësisht procesit të organizimit të Kuvendit të LDK-së, grupi parlamentar tashmë është funksional.
“Grupi parlamentar është, deputetët janë zgjedhur dhe është funksional, pavarësisht organizimit të kuvendit të LDK-së”, tha ai.
Ferati shtoi se brenda LDK-së nuk ka ndarje mes fituesve dhe humbësve, duke theksuar se asnjë figurë nuk mund të jetë mbi vullnetin e partisë.
Ai nënvizoi se LDK-ja po punon për të gjetur zgjidhje për situatën aktuale politike, ndërsa ritheksoi se fokusi i Vetëvendosjes duhet të jetë te përgjegjësitë që i takojnë si parti fituese.