
Është ndarë nga jeta Ramadan Rama, një nga figurat më të njohura të fushës së punës sociale në Rahovec dhe Kosovë, themelues i Qendrës për Punë Sociale në Rahovec dhe ish-drejtor shumëvjeçar i këtij institucioni.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili e ka cilësuar Ramën si një humanist të përkushtuar dhe një ndër themeluesit e shërbimeve sociale në komunë.
Sipas Latifit, Ramadan Rama themeloi Qendrën për Punë Sociale në Rahovec në vitin 1979 dhe e drejtoi atë për rreth 30 vjet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit të mbrojtjes sociale. Ai ishte gjithashtu ndër defektologët e parë në Kosovë, duke punuar për dekada në mbështetje të familjeve dhe qytetarëve në nevojë.
Edhe pas pensionimit, Rama vazhdoi angazhimin e tij humanitar përmes themelimit të shoqatës “Humaniteti”, duke mbetur aktiv në ndihmë të qytetarëve dhe duke lënë, sipas kryetarit Latifi, gjurmë të rëndësishme në jetën e shumë njerëzve.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Latifi u shprehu ngushëllime familjes Rama, me theks të veçantë gazetarit Fidan Rama për humbjen e babait, si dhe miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij”, përfundon mesazhi i kryetarit të Rahovecit. /GAZETA10/