Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

ZRRE: Ende s’kemi pranuar kërkesë për shtrenjtim të rrymës

Gazeta10
02 November 2022 - 19:55

Opozita dhe njohësit e çështjeve të energjisë e kanë kritikuar qeverinë që nuk po arrin ta menaxhojë krizën energjetike. Këto kritika vijnë pas deklaratës së ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli se çmimi i energjisë elektrike mund të rritet më tutje gjatë dimrit. Ndërkaq, nga ZRRE-ja, kanë thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për shtrenjtim të rrymës.

Raporti: Saranda Aliu

Reagime të shumta ka ngjallur deklarata e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli se këtë dimër mund të ketë rritje të mëtutjeshme të çmimit të energjisë elektrike.

Por, pavarësisht kësaj, nga kompania KEDS-i kanë thënë për Kanal10 se nuk kanë bërë një kërkesë të tillë, derisa kanë njoftuar se herën e fundit kur kanë kërkuar rritje të çmimit ka qenë gjatë verës.

Edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji kanë thënë se ende nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për rritje të mundshme, mirëpo, nga ky institucion nuk e kanë përjashtuar mundësinë e shtrenjtimit të tarifave të rrymës.

Rritja e mëtutjeshme e çmimit të rrymës, sipas LDK-së, do ta pamundësoj jetesën në Kosovë, derisa kanë thënë se shtyrja e masave emergjente nuk sjellë asnjë dobi. 

Ndërkaq, njohësi i energjisë, Fatos Aliu, ka fajësuar personat, që sipas tij, udhëheqin dhe menaxhojnë me sektorin e energjisë.

Ai ka thënë se për shkak të paditurisë, Kosova rrezikohet të përjetojë kolaps energjetik, nëse pjesë e vendimeve është edhe rritja e çmimit të rrymës.

Kosova tash e sa kohë është duke u përballur me krizën energjetike, duke dhënë paralajmërime se dimri i këtij viti do të jetë shumë i vështirë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.