Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Nis seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për Masakrën e Reçakut

Gazeta10
20 July 2026 - 10:38

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar në rastin penal ndaj 21 të pandehurve, të akuzuar për Masakrën e Reçakut

Sipas njoftimit të Departamentit Special të Gjykatës, bëhet fjalë për çështjen penale, ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq, Milovan Kovaçeviq, për shkak të veprës penale Krimet e “Luftës kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Gjykata ka bërë të ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, gjykimi në këtë rast pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi të njëjtit kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në kërkesën e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës “243 të Mekanizuar”, Armatës së III- të, e njohur si “Korpusi i Prishtinës”, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile.

“Të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura ‘Pishat’, ‘Gështenjat’ dhe ’Çesta’. Më pas, nga distanca e granatuan fshatin me mjetet ushtarake, kontrolluan shtëpi më shtëpi, dhe ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Hetimet e prokurorisë kanë vërtetuar se të pandehurit kanë ushtruar dhunë fizike ndaj civilëve, duke i rrahur me kondakë armësh, shqelma, dru, zinxhirë dhe mjete të tjera të forta.

Rreth 20.000 civilë të fshatrave Reçak, Topill, Petrovë, Kraisht, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.