Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Zyrtari estonez: Rusia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë e Evropës

Gazeta10
20 July 2026 - 13:10

Nënsekretari i Estonisë për Sigurinë e Brendshme, Joosep Kaasik, ka deklaruar se Evropa duhet të jetë e përgatitur jo vetëm për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak nga Rusia, por edhe për kërcënime hibride, operacione të ndikimit dhe rreziqe afatgjata të sigurisë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Kaasik tha se Estonia e konsideron parandalimin si mbrojtjen më efektive ndaj kërcënimeve që vijnë nga Moska.

Duke komentuar stërvitjen e fundit ushtarake të Rusisë me municion luftarak në Liqenin Peipus, pranë kufirit me Estoninë, e cila u zhvillua pa njoftim paraprak, ai tha se këto aktivitete janë pjesë e sjelljes së zakonshme të Rusisë.

“Duhet t’i shohim këto gjëra me qetësi dhe në mënyrë të balancuar, sepse kjo është një veprimtari normale ushtarake. Megjithatë, për ne është shqetësuese, pasi do të thotë se ata po stërviten për të përdorur forcën në Liqenin Peipus, gjë që nuk është në interesin tonë”, u shpreh Kaasik.

Ai shtoi se Rusia synon shpesh të krijojë pasiguri dhe frikë te vendet fqinje.

“Ata nuk shqetësohen për asgjë dhe do të bëjnë çfarëdo që e konsiderojnë të nevojshme. Një pjesë e objektivit të tyre arrihet sapo e gjithë bota fillon të flasë për këto veprime”, tha ai.

Sipas Kaasikut, Rusia nuk e ka si zgjedhje të parë përshkallëzimin ushtarak, por përpiqet të ndikojë në shoqëritë demokratike përmes operacioneve hibride.

“Ata preferojnë të ndikojnë në politikat tona, të imponojnë ide në shoqëritë tona dhe të përdorin popullsinë lokale për të përhapur narrativa që i shërbejnë interesave të Rusisë”, deklaroi ai.

Estonia po udhëheq gjithashtu përpjekjet që ish-luftëtarëve rusë t’u ndalohet hyrja në zonën Shengen.

Kaasik tha se deri tani Estonia ka vendosur ndalim hyrjeje për rreth 3.100 persona, ndërsa argumentoi se ata përbëjnë një rrezik serioz për sigurinë evropiane.

“Nëse keni luftuar kundër ukrainasve në këtë luftë, nuk duhet të keni qasje në Evropë. Këta persona janë objektiva të lehtë për rekrutimin nga shërbimet sekrete ruse dhe mund të përdoren për sulme të ndryshme në të ardhmen”, tha ai.

Ai shtoi se, sipas tij, edhe turistët rusë nuk duhet të marrin viza gjatë kohës që lufta në Ukrainë vazhdon.

Në intervistë, Kaasik mbrojti edhe ligjin e miratuar nga Estonia, i cili ndërpret lidhjet administrative të Kishës Ortodokse Estoneze me Patriarkanën e Moskës.

Sipas tij, vendimi bazohet në parimin se asnjë organizatë fetare nuk duhet të ketë lidhje administrative me një shtet apo institucion që mbështet luftën ose terrorizmin.

“Patriarkana e Moskës e ka mbështetur publikisht këtë luftë agresive. Asnjë shoqëri demokratike nuk duhet ta tolerojë një marrëdhënie të tillë”, tha ai.

Kaasik theksoi se lufta në Ukrainë ka treguar se siguria nuk varet vetëm nga ushtria, por edhe nga qëndrueshmëria e gjithë shoqërisë.

“Thelbi është që e gjithë shoqëria të jetë e përgatitur. Sa më gjatë që një shoqëri mund të përballojë kushte të vështira, aq më të mëdha janë shanset për sukses”, u shpreh ai.

Në fund, ai vlerësoi se Bashkimi Evropian duhet të veprojë më shpejt për të forcuar sanksionet ndaj Rusisë, duke theksuar se vendet që ndodhen më larg kufirit rus shpesh nuk e kuptojnë plotësisht nivelin e kërcënimit.

“Ne e shohim këtë kërcënim çdo ditë. Vendet që janë më larg Rusisë shpesh nuk e përjetojnë në të njëjtën mënyrë”, përfundoi Kaasik.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.