Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

​Paraburgim njëmujor për B.R., dyshohet se tentoi ta vriste me thikë B.M. në Mitrovicë

Gazeta10
23 July 2026 - 14:36

Personi me inicialet B.R., i cili dyshohet se më 18 korrik tentoi ta vriste me thikë B.M. në Mitrovicë, është dërguar në paraburgim për një muaj.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, e cila ka caktuar masën e paraburgimit për periudhën nga 18 korriku deri më 18 gusht 2026, ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj.

Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, B.R. dyshohet se ka tentuar ta privojë nga jeta B.M., duke e goditur disa herë me thikë në kokë, në anën e majtë të brinjëve dhe në pjesën e pasme të kraharorit.

Si pasojë e sulmit, i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po trajtohet në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndaj B.R.-së rëndojnë dyshimet për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari ishte arrestuar më 18 korrik dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, ishte ndaluar deri në shqyrtimin e kërkesës për paraburgim, të cilën Gjykata e ka aprovuar.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.