
Policia e Kosovës ka nisur hetimet pasi gjashtë shtetas të huaj u gjetën në rimorkion e një kamioni gjatë shkarkimit të mallrave në Gjilan.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 25 korrik 2026, rreth orës 11:05, pasi autoritetet pranuan një informatë se në rimorkion e një kamioni ndodheshin disa persona.
Njësitë policore dolën në vendin e ngjarjes, ku konstatuan se bëhej fjalë për gjashtë meshkuj, shtetas të huaj. Ata, së bashku me drejtuesin e kamionit, u shoqëruan në stacionin policor, ku ishte i pranishëm edhe prokurori.
Pas intervistimit, shtetasve të huaj u janë lëshuar vërtetime për akomodim në përputhje me procedurat në fuqi dhe më pas janë liruar.
Ndërkohë, edhe drejtuesi i kamionit është liruar në procedurë të rregullt, me vendim të prokurorit, pasi ndaj tij është iniciuar rasti. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë duke vazhduar.