Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbi 1 mijë aplikantë më shumë se vitin e kaluar në Universitetin e Prishtinës

Gazeta10
26 July 2026 - 12:46

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pasur një rritje të interesimit të aplikantëve, ku numri arrin në 1000 më shumë se vitin e kaluar e në mesin e studentëve të pranuar janë edhe katër nga diaspora.

Rektori i këtij universiteti, Arben Hajrullahu tha se ky është lajm shumë i mirë dhe dëshmon punën e madhe që bëhet në Universitetin e Prishtinës.

“Këtë vit kemi pasur rritje mbi 1,000 aplikantë, ka më shumë se sa në vitin paraprak. E kjo është një lajm shumë i mirë dhe që e dëshmon punën e madhe që është dhe që është duke u bërë në Universitetin e Prishtinës, i cili vazhdon të jetë universiteti lider jo vetëm në Kosovë, por në rajon, në të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në Ballkan e në botë. Po, ka edhe aplikantë edhe nga vendet fqinje të Kosovës, përveç vendeve të rezervuara, e është shumë e mirë se këtë radhë vetëm në afatin e parë janë pranuar edhe 4 studentë nga diaspora”, tha Hajrullahu.

Hajrullahu u shpreh se janë miratuar vendet e rezervuara për shqiptarët në Turqi me prejardhje nga Kosova, për arbëreshët e Italisë, si dhe për diasporën që kanë prejardhje nga Kosova.

Mes tjerash, ai theksoi se ka ripërtëritje të personelit akademik pasi sipas tij, nën menaxhimin e tij janë pranuar mbi 100 profesorë që janë të pranuar ose janë në proces të pranimit profesorë e asistentë.

Përveç kësaj, rektori kërkoi mbështetje reale nga institucionet relevante e jo vetëm fjalë.

“Ne vetëm në këtë vit, nën menaxhimin tim, kemi pranuar diku mbi 105 profesorë, ose janë të pranuar ose janë në proces të pranimit profesorë e asistentë. Pra ka një ripërtëritje të personelit akademik. Universiteti i Prishtinës ka hapësira të mjaftueshme, ka kapacitete të mjaftueshme. Neve vetëm na nevojitet edhe mbështetje reale, jo me fjalë, por mbështetje reale me buxhet konkret, që vërtet të arrijmë të financojmë aktivitetet e planifikuara, ndër të tjera edhe në strategjinë të cilën ne kemi hartuar e miratuar, strategjinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës për vitin 2026–2030/31”, shtoi rektori.

Hajrullahu potencoi se kanë mbështetje por për shkak të zhvillimeve të fundit politike, fokusi nuk ka qenë tek Universiteti i Prishtinës, duke rikujtuar që u duhen partnerë që të ndërveprojnë me ta.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka një jetëgjatësi 56 vjeçare që daton nga viti 1970.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
26 July 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.