
Demokratët Evropianë kanë reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Kosovën, duke kritikuar retorikën e tij dhe duke vlerësuar se qëndrime të tilla pengojnë procesin e pajtimit dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një reagimi të publikuar në platformën “X”, Demokratët Evropianë kanë thënë se Vuçiq “edhe një herë ka pohuar se Kosova është pjesë e Serbisë”, duke e cilësuar këtë qasje si një rikthim të narrativave që dëmtojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.
“Dje, presidenti Aleksandar Vuçiq edhe një herë deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë, duke rikthyer retorikën që minon pajtimin dhe stabilitetin rajonal”, thuhet në reagimin e tyre.
Demokratët Evropianë kanë lidhur deklaratat e Vuçiqit edhe me komentet e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte deklaruar se do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998.
Deklaratat e tilla thonë DE, janë dënuar gjerësisht në Evropë, por nuk kanë sjellë pasoja politike në Serbi.
“Udhëheqja përcaktohet jo vetëm nga qëndrimet që mban, por edhe nga retorika që toleron dhe legjitimon”, kanë theksuar Demokratët Evropianë.
Ata kanë bërë thirrje për një qasje më të përgjegjshme politike në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit nuk mund të ndërtohet mbi narrativa nacionaliste, por mbi besimin e ndërsjellë, përgjegjësinë dhe vlerat demokratike.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, të përkushtuar ndaj dialogut, pajtimit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
Reagimi vjen në një periudhë kur procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të përballet me tensione politike, ndërsa deklaratat e zyrtarëve serbë për statusin e Kosovës mbeten një nga çështjet kryesore të përplasjes mes dy palëve.