
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njofton se me pikëllim të thellë ka pranuar lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”.
“Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, thekson Rama.
Postimi i plotë:
Falënderoj Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje të vështirë.
Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Çështjet që kanë të bëjnë me respektimin e standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë janë në kompetencë të Inspektoratit të Punës dhe institucioneve përgjegjëse, të cilat presim ta zbardhin plotësisht këtë rast.
Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte.