
Detaje të reja tronditëse nga tragjedia e trefishtë e ndodhur në fshatin Domen të Postribës në Shkodër janë zbardhur nga hetimet paraprake të Policisë dhe Zjarrfikësve vendorë ditën e sotme.
Burime policore thanë se menjëherë pas gjetjes së trupave të nënës 24-vjeçare, Bleona Çelaj dhe fëmijëve të saj të mitur 1 dhe rreth 4 vjeç, nën rrënojat e djegura të banesës, gjatë kërkimeve gjetën edhe vatrën e zjarrit të dyshuar.
Pranë saj është gjetur një bombol gazi dhe një shishe benzine.
Dyshohet se ka pasur një shpërthim të fuqishëm që çoi edhe në pasojat tragjike.
Por nuk dihet ende dinamika nëse shpërthimi ka qenë aksidental, pasi shkëndija ka rënë në kontakt me benzinën dhe më pas bombolën e gazit apo mund të ketë faktorë të tjerë, deri edhe një flijim i mundshëm.
Pista kryesore mbetet ajo e një ngjarjeje aksidentale.
Nëna dhe tre fëmijët mësohet se ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte shkuar në shtëpinë në fshatin Domen.
Policia vendore tha për hetimet paraprake se:
“Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç. Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje. Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.