
Gazetari Kushtrim Sadiku ka folur për zhvillimet në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ku po vazhdojnë gërmimet në një lokacion që dyshohet se është varrezë masive e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ai tha se me raportimet eksluzive të televizionit Kanal10 nga vendi i ngjarjes që nga momenti i parë, u përball me dhimbjen e familjarëve që edhe pas shumë vitesh presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre.
Sadiku veçoi rrëfimin e Besim Mziut nga fshati Marinë i Skenderajt, i cili gjatë luftës humbi babanë, axhën dhe djalin e axhës. Sipas tij, dëshmia për momentin kur familja kishte vendosur të largohej drejt Malit të Zi ishte ndër më prekëset që ka dëgjuar gjatë raportimeve.
Ai theksoi se informacione të tilla, që dalin më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, janë të rënda për familjet që ende jetojnë me pasigurinë për fatin e më të dashurve të tyre.
Ndërkaq detaje tjera shtoi edhe gazetarja Blerina Mustafa e cila ishte ne terren gjatë ditës.
Në Kalludër të Vogël deri më tani janë gjetur gjashtë trupa, të cilët dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës. Procesi i identifikimit pritet të vazhdojë përmes ekzaminimeve të mjekësisë ligjore dhe analizave të ADN-së.