
Komentatori politik Fidan Rama në edicionin special të Gazetës ka komentuar zhvillimet në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të LDK-së, duke thënë se situata e krijuar brenda partisë nuk duhej të kishte arritur deri te mbledhja e nënshkrimeve dhe thirrja e kuvendit.
Rama tha se në politikë reflektimi është një hap i rëndësishëm dhe se liderët duhet të dinë të marrin përgjegjësi pas rezultateve të dobëta zgjedhore.
“Nuk u desh të vinte puna deri te thirrja e kuvendit dhe mbledhja e nënshkrimeve. Nga viti 2010 e tutje, tri palë humbje të zgjedhjeve nacionale i humbi edhe Isa Mustafa, por ai reflektoi dhe dha dorëheqje”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, pas tri humbjeve zgjedhore duhet të ketë një analizë dhe reflektim politik, e jo akuza ndaj atyre që kërkojnë ndryshime.
“Nuk e di çka duhet të bësh më shumë sesa t’i humbësh tri palë zgjedhje dhe të vazhdosh t’i akuzosh të tjerët se po duan të të shkarkojnë. Reflektimi në politikë është hap i pjekur kur merret në kohën e duhur”, u shpreh Rama.
Ai tha se kishte qenë përkrahës i ardhjes së Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së në vitin 2021, por sipas tij, zhvillimet e fundit kanë krijuar nevojën për ndryshim.
“Kam qenë përkrahës shumë i madh i ardhjes së Abdixhikut në vitin 2021, por 7 qershori dhe qasja e brendshme besoj se janë arsye të mjaftueshme që të ndodhë një ndryshim”, tha Rama.