
Ramë Shabani, 60-vjeçar nga fshati Reçak i Komunës së Shtimes, e ka kuptuar nga mediat se në Kosovë pritet të nisë një proces gjyqësor ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte për masakrën e kryer në fshatin e tij.
Ai është një nga të mbijetuarit e masakrës së Reçakut, ku forcat serbe në janar të vitit 1999, vranë 45 civilë shqiptarë.
“Nuk më ka informuar askush nga institucionet [për procesin gjyqësor] dhe nuk kam marrë ftesë për të qenë dëshmitar”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.
Gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për këtë rast pritet të nisë të premten, më 31 korrik. Shabani dyshon se ky lloj gjykimi do të sjellë drejtësi.
“Arrita të ik, të tjerët i vranë”
Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, Ramë Shabanin, atëherë 33-vjeçar, e zgjuan nga gjumi krismat e armëve.
Siç rrëfen ai, krismat ishin bërë të zakonshme në atë kohë lufte, por, rreth orës 7 të mëngjesit, e gjithë familja e tij e kuptoi se në fshat po ndodhte diçka e pazakontë.
Forca të mëdha policore serbe kishin goditur fshatin dhe po depërtonin përbrenda lagjeve.
Ai dhe familjarët e tij u strehuan në bodrumin e shtëpisë së një fqinji, për të shmangur të shtënave që vinin nga armët e forcave serbe.
Megjithatë, siç rrëfen Shabani, shtëpia u qëllua me armë dhe më pas aty depërtuan edhe forcat serbe.
“Na e kanë granatuar shtëpinë, na kanë nxjerrë jashtë, na kanë rrahur dhe na kanë marrë krejt çka kishim në xhepa. Pastaj na kanë çuar te vendi i masakrës”, tregon Shabani.
Ai rrëfen se, pasi kishin arritur në vendin e quajtur Kodra e Bebushit, në periferi të fshatit Reçak, filloi ploja ndaj civilëve shqiptarë nga ana e forcave serbe.
“Na shanë serbisht… dhe unë kam ikur në një teposhte. Shtatë apo tetë të tjerë që ishin pas meje janë vrarë”, rrëfen Shabani.
Pas tërheqjes së forcave serbe, Shabani u kthye sërish në vendngjarje. Aty kuptoi se vëllai i tij, Bajrush Shabani, ishte vrarë së bashku me 11 kushërinj dhe me më shumë se 30 bashkëfshatarë të tjerë.
Fotografia e Bajrush Shabanit e vendosur në memorialin kushtuar viktimave të masakrës në Reçak.