
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka shkruar në lidhje me analizat për produktet e qumështit që i ka realizuar AUV-i. Ajo ka thënë se siguria e ushqimit nuk njeh kompromis ndërkaq për rezultatet ka thënë se zbuluan shkelje serioze.
“Në produkte të qumshtit doli se është përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe hirrë pa u deklaruar në etiketë, si dhe ujë i destinuar për ujitje në procesin e prodhimit. Kjo tani nuk është çështje teknike. Kur qytetari paguan për qumësht dhe merr diçka tjetër, ai është mashtruar. Kur në prodhimin e ushqimit përdoret ujë i papërshtatshëm, nuk flasim më vetëm për etiketë, flasim për shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se rasti bëhet edhe më i rëndë kur dihet se kjo industri merr mbështetje nga shteti, subvencione, lehtësira dhe para publike.
“Pra merr nga qytetari përmes shtetit dhe pastaj po atij i shet një produkt që nuk përputhet me deklarimin dhe rrezikon shëndetin e tij. Prandaj llogaridhënia nuk është opsionale. Këtu fermeri është dëmtuar. Ai e ka dorëzuar qumështin ashtu siç është, pa shtesa dhe pa zëvendësime, dhe pastaj, siç e dimë të gjithë, ka pritur gjatë për t’u paguar. Ndërkohë ata që e zëvendësuan përmbajtjen me përbërës të lirë e mbajtën çmimin të njëjtë dhe e rritën fitimin. Në etiketë mbeti emri i fermerit, në produkt nuk mbeti puna e tij”, ka shtuar Haxhiu.
Ajo ka thënë se është mashtruar edhe konsumatori i cili ka paguar çmimin e plotë duke besuar se po blen atë që shkruan në etiketë, ndërsa për këto kompani ka paralajmëruar pasoja.
“Produktet me shkelje kritike duhet të tërhiqen nga tregu. Veprimtaria pa autorizim duhet të suspendohet, kushdo qofshin ata. Nëse ka elemente të veprës penale, çështja duhet t’i kalojë prokurorisë. Kontrollet nuk duhet të ndalen te qumështi. Të tilla kontrolle duhet të bëhen edhe në sektorët e tjerë, sepse asnjë qytetar nuk duhet të hamendësojë se çka ka në gotën apo në pjatën e vet. Qytetarët duhet të hanë dhe të pinë atë për të cilën paguajnë”, ka theksuar Haxhiu.