
Komentatori politik Artan Aliaj, i ftuar në emisionin “Gaeta”, tha se pritshmëritë ishin që gjatë seancës së sotme të bëhej e mundur themelimi i Kuvendit, por jo edhe kërkesa për kohë shtesë.
Ai u shpreh se shpreson që gjatë ditës së sotme kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të zhvillojnë negociata që do të çonin në zhbllokimin e situatës institucionale.
“Nuk e kam pritur që do të kërkohej kohë shtesë. Shpresoj që deri nesër të ketë mundësi që Kurti dhe Abdixhiku të kenë negociata gjatë ditës së sotme. Nëse nuk ka diçka konkrete, nuk mund të rrezikohet themelimi i institucioneve”, deklaroi Aliaj.
Sipas tij, bazuar në deklaratat e Kurtit, kërkesa për kohë shtesë lidhet me negociatat për postin e presidentit të vendit.
“Nëse bazohemi në atë që tha Kurti, ai kërkon kohë shtesë për të negociuar për presidentin e vendit dhe për këtë arsye mendoj se nuk ka asnjë pengesë që të votohet kryetari i Kuvendit”, tha Aliaj.