Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

IKD: Moskonstituimi i Kuvendit deri më 7 gusht shkel Kushtetutën, por procesi duhet të vazhdojë

Gazeta10
07 August 2026 - 20:18

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit deri më 7 gusht 2026, në orën 24:00, përbën shkelje të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Afati tridhjetëditor ka filluar me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve më 8 korrik.  Brenda këtij afati, Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve. Seanca e 6 gushtit u ndërpre pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për negociata rreth zgjedhjes së Presidentit. Mirëpo, zgjedhja e Presidentit është proces i veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit.

“Në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Negociatat politike duhet të zhvillohen jashtë saj dhe nuk mund ta pezullojnë përmbushjen e një detyrimi kushtetues”, thuhet në reagimin e tyre.

Megjithëse, sipas IKD-së, afati është shkelur, Kushtetuta nuk përcakton shpërndarjen automatike të Kuvendit, përsëritjen e zgjedhjeve apo ndonjë pasojë të drejtpërdrejtë për kryesuesin e seancës.

“Mungesa e sanksionit nuk e ligjëson shkeljen, por as nuk e pamundëson vazhdimin e procesit”.

Prandaj, siç thotë IKD, deputetët e të gjitha partive duhet të marrin pjesë nesër në seancë, të votojnë për Kryetarin dhe nënkryetarët dhe ta përfundojnë konstituimin pa vonesa të tjera.

“Shkelja e afatit nuk duhet të përdoret si arsyetim për bojkot ose bllokadë të re. Nëse deputetët konsiderojnë se ndërprerja e seancës dhe kalimi i afatit kanë cenuar Kushtetutën, çështja duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Problem tjetër serioz është vazhdimi i ushtrimit të funksioneve ministrore nga deputetët e zgjedhur.

Në Aktgjykimin P.A.nr.09/2025, Gjykata Supreme ka përcaktuar se, nga momenti i certifikimit të rezultateve, personi i zgjedhur konsiderohet deputet dhe nuk mund ta ushtrojë njëkohësisht funksionin e ministrit. Ministrat në detyrë që janë zgjedhur deputetë është dashur t’i përfundonin funksionet ekzekutive para certifikimit të rezultateve. Kjo nuk ka ndodhur as para certifikimit dhe as para dhënies së betimit më 6 gusht”.

“Vazhdimi i ushtrimit të dy funksioneve të papajtueshme është në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës, me ndarjen e pushteteve dhe me standardin e vendosur nga Gjykata Supreme.

Çështja më urgjente lidhet me statusin e Kryetares së Kuvendit të Legjislatures së kaluar, znj. Albulena Haxhiut. Ajo e ka marrë ushtrimin e detyrës së Presidentes më 4 prill 2026 vetëm për shkak të funksionit të saj si Kryetare e Kuvendit.

Nga praktika, mandati i Kryetarit të legjislaturës së mëparshme vazhdon vetëm deri në seancën konstituive. Me thirrjen dhe fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së re, ka përfunduar mandati i Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit”, thotë IKD.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.