
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se propozimi i një kandidati për president nuk është rol apo kusht i partisë së tij, duke theksuar se Aleanca aktualisht ka shtatë deputetë.
Deklarata e tij erdhi pas pyetjes së gazetarit Arben Ahmeti, i cili e pyeti Gjinin pse nuk e sfidon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me një propozim konkret për president.
Gjini fillimisht tha se në Kosovë ka shumë njerëz të vlefshëm që mund ta ushtrojnë këtë funksion.
“Ka shumë njerëz që janë të vlefshëm në Kosovë”, tha Gjini.
Ndërsa Ahmeti e pyeti: “Pse nuk po e sfidoni Kurtin me një propozim të tillë?”
Gjini tha se kjo nuk është përgjegjësi e Aleancës, duke përmendur numrin e deputetëve që ka aktualisht partia.
“Nuk është qëllimi ynë, nuk është as roli ynë ky hiç. Nuk është roli jonë për shkak se na i kemi shtatë deputetë për momentin. Po ju them, së paku dyfish jemi kur dojmë shkojmë në zgjedhje, ama për momentin i kemi shtatë deputetë. Nuk është roli jonë, nuk është kushti jonë”, deklaroi Gjini.
Ai më pas kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje , e cila ka 53 deputetë, duke thënë se partia më e madhe në Kuvend duhet të dalë me një propozim konkret për presidentin, në vend që t’ua kërkojë këtë subjekteve më të vogla.
“Paramendo ti me dalë partia që i ka 53 deputetë edhe me lëshu fjalë rreth e rrotull, me thanë: ‘Pse s’po propozoni ju dikë?’ A kanë ndonjë propozim këta? A keni ni naj emër që e kanë këta?”, tha Gjini.
Duke iu referuar emrit të Feride Rushitit, i cili ishte përmendur si kandidat për presidente në legjislaturën e kaluar, Gjini tha se ky nuk është një propozim i ri.
“Feride Rushitin e ka prej legjislaturës së kalume, nuk e ka tash. Le të del bre, nëse thotë vetë që na e kemi këtë kandidat”, u shpreh ai.
Gjini ka bërë thirrje që subjektet politike që pretendojnë se kanë një kandidat për president të dalin publikisht dhe ta bëjnë të ditur emrin e tij./Gazeta10